Zbardhet skema, arratisja nisi me një qese me mollë nga Fran Marashi

Nov 28, 2013 | 9:06

Gazeta “Panorama” publikon sot raportin e prokurorise e cila ka zbardhur në detaje gjithçka ka ndodhur në ambientet e brendshme të Burgut të Drenovës e deri te rrethimi i jashtëm gjatë arratisjes së shtatë të dënuarve nga ky institucion.

Sipas Prokurorisë, e gjithë ngjarja ka ardhur nga shkelja e rregullave të sigurisë prej gardianëve që kanë lejuar bashkimin në një sektor të Admir Tafilit dhe Fran Marashit pasditen e 23 nëntorit 2013. Në këtë kohë dyert e qelive kanë qenë të hapura dhe të dënuarit lëviznin lirisht.

“Panorama” publikon një pjesë nga thelbi i akuzës së ngritur nga Prokuroria ndaj 21 gardianëve të Burgut të Drenovës që u arrestuan menjëherë pas ngjarjes dhe që dje dolën në gjykatë për masat e sigurisë.

“Rreth orës 18:45, i dënuari Admir Tafili kishte dalë nga klasa për në drejtim të dhomës së tij, kurse i dënuari Fran Marashi kishte dalë nga dhoma e tij, me një qese me mollë në dorë, për në klasë. Në korridorin e kolonës, ku ishte në shërbim përgjegjësi Gjergji Këllezi, i dënuari Fran Marashi ishte takuar me të dënuarin Admir Tafili dhe i kishte dhënë qesen me mollë. Pasi kishte marrë qesen me mollë, i dënuari Admir Tafili i kishte kërkuar përgjegjësit të kolonës që ta lejonte të kalonte në sektorin 3, ku ndodhej përgjegjësi i shërbimit Luan Liçkollari, me qëllim për t’i dhënë mollët të dënuarit Selami Sparthi, i cili ndodhej në sektorin 1. Përgjegjësi i kolonës, në shkelje të skemës së sigurisë, e kishte lejuar të dënuarin Admir Tafili për të kaluar në sektorin nr. 3”- shkruan “Panorama”.

© Panorama.al

Te lidhura