Gjykata e Lezhës ka dënuar me burgim të përjetshëm Ruben Saraivën, autorin portugez të vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulajt më 19 prill të vitit 2023 në Shëngjin.

Saraiva u shpall fajtor për veprën penale “Vrasje e kryer për interes ose hakmarrje”, si dhe për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Vrasja ndodhi brenda hotelit të Nikulajt në Shëngjin, teksa biznesmeni ishte ulur në ambientet e lokalit kur portugezi me skafandër në kokë iu afrua duke e qëlluar për vdekje.
Sipas prokurorisë, vrasja e Nikulajt dyshohet se u porosit nga Edmond Haxhia, i cili jeton në Britaninë e Madhe, për motive gjakmarrje. Të përfshirë si ndihmës edhe 4 shtetasit britanikë Stephen Hunt, Thomas Mithan, Harriet Bridgeman dhe Harry Simson.
Vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin ishte vijim i zinxhirit të hakmarrjes që familja e viktimës kanë me fisin Lekstakaj, konflikt i nisur në 1997 duke shkaktuar bilanc me shumë viktima mes dy fiseve.
Avokati Cakrani: Vendimi i padrejtë, u dënua një i pafajshëm! Ja çfarë më tha Saraiva
Menjëherë pas shpalljes së vendimit nga Gjykata e Lezhës për dënimin e përjetshëm ndaj killerit të dyshuar Ruben Saraiva, portugezit të akuzuar për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj tre vite më parë, avokati mbrojtës Kujtim Cakrani reagoi ashpër, duke e cilësuar klientin e tij të pafajshëm dhe vendimin e gjykatës të padrejtë, duke deklaruar se do e apelojnë çështjen në shkallën e dytë.
“Gjykata e Lezhës ka dënuar një të pafajshëm, sepse nuk ekziston asnjë provë që implikon Ruben Saraivën në këtë vrasje. Çështja është trajtuar si një gjyq popullor dhe jo mbi prova,” deklaroi Cakrani, duke shtuar se procesi nuk ka marrë në konsideratë kërkesat e mbrojtjes gjatë hetimeve dhe gjykimit.
Avokati u shpreh se klienti i tij “i kishte kërkuar që të ankimohej në Apel” dhe ishte optimist se “Gjykata e Apelit mund të japë një vendim ndryshe, duke rishikuar çështjen në bazë të provave dhe argumenteve të paraqitura”.
Gjykata e Lezhës ka dënuar me burgim të përjetshëm shtetasin portugez Ruben Saraiva, i akuzuar si ekzekutori i biznesmenit Ardian Nikulaj, i vrarë më 19 prill 2023.
Vendimi u dha në një seancë gjyqësore të zhvilluar nën masa të rrepta sigurie, ku ishin të pranishëm edhe familjarë të viktimës.
Saraiva u shpall fajtor për veprën penale “vrasje e kryer për interes ose hakmarrje”, si dhe për “mbajtje pa leje dhe prodhim armësh, armësh shpërthyese dhe municionit”.
© Panorama.al












