Votë kundër buxhetit në Kuvend, zbulohet email-i i Ballës

Dec 5, 2011 | 10:37

Pas debateve për votimin ndryshe nga grupi të Blushit e Malajt, ndryshon procedura e Grupit Parlamentar të PS. “Deputetët e PS duhet të votojnë kundër buxhetit pa përjashtim”

Gazeta ka zbuluar email-in e plotë të Ballës, sipas të cilit vota e deputetëve socialistë duhet të jetë pa përjashtim kundër buxhetit gjatë diskutimit nen për nen në seancën e sotme të Kuvendit. “Për seancën plenare të datës 5 dhjetor 2011 të Kuvendit të Shqipërisë, grupi ka vendosur si më poshtë: Votimi nen për nen i projektligjit “Për buxhetin e shtetit 2012”. KUNDËR!”, thuhet në njoftimin që sekretari i Grupit Parlamentar socialist u drejton deputetëve, duke i njohur me vendimet e marra në mbledhjen e fundit të grupit. Gjithashtu, në njoftimin e Ballës, deputetëve u kujtohet se votimi për buxhetin është një vendim politik i Grupit Parlamentar. “Ashtu siç është vendosur nga Grupi ynë Parlamentar, vendimmarrja politike e marrë në mbledhjen e grupit do të respektohet pa përjashtim nga të gjithë deputetët”, shkruan Taulant Balla në e mail-in e tij drejtuar të gjithë deputetëve të Grupit Parlamentar. E mail-i u është drejtuar të gjithë deputetëve të grupit, por vë në dijeni për këtë njoftim kryetarin e partisë dhe kryetarin e Grupit Parlamentar socialist. Mësohet se ka disa javë që në Grupin Parlamentar socialist është vendosur edhe kjo mënyrë njoftimi e deputetëve si për rendin e ditës së mbledhjes së Grupit Parlamentar socialist, ashtu dhe për mënyrën se si do të votohet në seancat plenare, duke u kujtuar deputetëve vendimin e marrë gjatë mbledhjeve në grup. Kjo mënyrë ka nisur të aplikohet, pasi ka pasur raste që deputetët që kanë munguar në mbledhjen e grupit nuk kanë qenë të orientuar rreth vendimmarrjes së mbledhjes. Por gjithashtu kjo mënyrë njoftimi mësohet se ka filluar të aplikohet rregullisht edhe pas debateve për vota të hedhura kundër vendimmarrjes në grup. Në debatet e zhvilluara në mbledhjet e Grupit Parlamentar, disa deputetë janë justifikuar me faktin se nuk kanë qenë të qartë me vendimin që kishte marrë grupi rreth projektligjeve që votoheshin në seancë plenare. Por gjatë votimeve në Parlament, sekretari i grupit, Balla, është parë që të orientojë votimin e deputetëve socialistë duke ngritur kartonin, para se deputetët të shtypnin butonin e votimit.

Kuvendi, sot miratimi i buxhetit
Parlamenti do të miratojë sot nen për nen dhe më pas në tërësi buxhetin e shtetit për vitin 2012. Seanca e Kuvendit do të nisë në orën 9:00 të ditës së hënë. Pas miratimit në parim në Parlament me votat e shumicës në seancën e 25 nëntorit, gjatë kësaj jave draft-buxheti i ri u shqyrtua nen për nen në komisionet parlamentare. Opozita, ashtu siç veproi edhe me votimin në parim në Kuvend, është deklaruar kundër buxhetit. Sipas tyre, drafti nuk është realist dhe rrezikon rritjen e borxhit publik mbi tavanin e vendosur prej 60 % të prodhimit të brendshëm bruto. Por, sipas burimeve nga grupi i PS, në këtë seancë të majtët do të ripërsërisin 8 kërkesat e tyre, që kanë të bëjnë me heqjen e TVSH për pagat, barnat, ushqimet, energjinë dhe librat. Pikë tjetër e rëndësishme që pritet të ngjallë debat, është Kodi Rrugor, i cili i ka kaluar seancës plenare me dy qëndrime. Kodi Rrugor ka krisur marrëveshjen PD-PS, çka është reflektuar dhe në mosarritjen e konsensusit në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese. Në mbledhjen e fundit të zhvilluar vetëm me përfaqësuesit e djathtë, kryetari i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Jemin Gjana, theksoi se Kodi Rrugor do të kalojnë për diskutim në seancën e të hënës me dy qëndrime, dhe jo me një draft përfundimtar, për shkak të mungesës së konsensusit me opozitën.

Votimi për Fullanin
Votimi pro për guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, nga dy deputetë socialistë, Ben Blushi dhe Arben Malaj, hapën debat në mbledhjen pasardhëse të Grupit Parlamentar socialist. Ishte vetë Rama që ka kërkuar t’u jepet fund votimeve kundër vullnetit politik të grupit, ndërsa Arben Malaj ka shpjeguar votën e tij pro guvernatorit. Rama kërkoi që votimi i Fullanit të konsiderohej i fundit si devijim, ndërsa për çdo rast tjetër përsëritjeje do të zbatohet statuti i PS.

© Panorama.al

Te lidhura