Votat e hedhura gabim, Topalli: Komisioni i Venecias konfirmoi praktikën shqiptare

Dec 17, 2011 | 14:55
Sot ne Komisionin e Venecias

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë,  Jozefina Topalli ka vlerësuar opinionin e Komisionit të Venecias për Shqipërinë si një dokument ligjor profesional dhe autoritativ, i cili do të shërbejë si plan pune në zbatimin e rekomandimeve për zgjedhjet.

Në mënyrë të veçantë, Topalli ka vlerësuar përqasjen e bërë në këtë opinion lidhur me votat e hedhura jo në kutitë e duhura. Konkluzioni i Komisionit të Venecias se e drejta e votës, si e drejtë e njeriut, mbizotëron dhe se legjislacioni  duhet të përmbajë procedura për përfshirjen në rezultat të votës së hedhur jo në kutinë e duhur, përbën nje konfirmim të praktikës shqiptare të numërimit të këtyre votave. Institucionet në Shqiperi nuk gabuan kur vendosën t’i përfshijnë këto vota në rezultat dhe rasti  i Shqipërisë meriton të  shënohet si një rast pozitiv i respektimit të vullnetit të zgjedhësve, ka thënë ajo.

Reforma zgjedhore nuk është një detyrë e lehtë por Shqipëria është e vendosur ta bëjë atë duke e konsideruar suksesin si një gur milear në rrugëtimin e saj drejt BE, ka thënë Topalli.

Ndërkaq, presidenti i Komisioni Xhani Bukikjo vlerësoi hapat e ndërmarrë nga Kuvendi i Shqipërisë dhe shprehu  gadishmërinë për të vijuar më tej bashkëpunimi.

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, e shoqëruar nga bashkëkryetarët e komisionit ad hoc për reformën zgjedhore, deputetët Ilir Rusmali dhe Damian Gjiknuri kanë marrë pjesë në sesionin e radhës së këtij Komisioni, ku ndër të tjera u diskutua dhe u miratua opinioni i Komisionit për Shqipërine.

REKOMANDIMET E VENECIAS

Në draftin e miratuar dje me konsensus nga të dyja forcat politike thuhet se “Komisioni i Venecias dhe OSBE/ODIHR- i rekomandojnë adresimin e problemit të votave të hedhura në kutitë e gabuara në Kodin Elektoral. Gjithashtu, duhet të vendoset një procedurë e qartë për miratimin dhe përfshirjen e votave të hedhura gabim në tabelën e rezultateve. Për shembull, këto vota duhet të vendosen në një kolonë të veçantë në tabelën e numërimit dhe të numërohen pas përfundimit të numërimit të të gjitha kutive të votimit në një qendër votimi”, thuhet në rekomandimet e Venecias. Sa i përket administratës zgjedhore, theksohet se “sfida kryesore është, gjithsesi, nëse do të jetë e mundur të largohemi nga përbërja aktuale partiake e administratës zgjedhore të bazuar në një balancë ndërmjet të dyja partive politike kryesore, në një administratë zgjedhore që përfshin elementë jopartiakë dhe të paanshëm”. Një tjetër çështje e trajtuar në propozimet e bëra nga institucioni këshillimor pranë Këshillit të Europës është edhe veprimtaria e Kolegjit Zgjedhor. Venecia evidenton një mospërputhje mes neneve të Kodit Zgjedhor, sipas të cilave, vendimet e Kolegjit nuk apelohen dhe një dispozitë të Kushtetutës, sipas së cilës, vendimet e gjykatave apelohen në një shkallë më lart.

© Panorama.al

Te lidhura