Një banesë private është grabitur mbrëmjen e së shtunës në fshatin Kastriot të Dibrës. Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të datës 12 korrik, ndërsa familjarët ndodheshin jashtë banesës për një rast familjar.
Sipas burimeve për News 24, persona ende të paidentifikuar kanë hyrë me forcë në banesë, pasi më parë kanë dëmtuar kamerat e sigurisë. Autorët dyshohet se kanë përfituar nga mungesa e banorëve për të realizuar grabitjen pa u vënë re.
Nga deklarimet e para të familjarëve mësohet se autorët kanë marrë një shumë të konsiderueshme parash, bizhuteri me vlerë si edhe mishin që ndodhej në frigorifer.
Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa po analizohen pamjet e kamerave të dëmtuara për të zbuluar gjurmë të mundshme të autorëve.
© Panorama.al












