VIDEO/ “Nuk mund t’i ndalim dot sulmet kibernetike!”- Ministrja Ibrahimaj për hakërimin e institucioneve nga iranianët: Dëmet janë të riparueshme!

Apr 1, 2026 | 13:32

Sulmet kibernetike nga hakerat iranianë të “Homeland Justice” nuk kanë shkaktuar dëme të pariparueshme, por ato nuk mund të ndalen përveçse të përmirësohet teknologjia për të shmangur dëmet.

Kështu u shpreh sot pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Delina Ibrahimaj, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, duke iu përgjigjur interesit të mediave. Teksa njoftoi edhe miratimin e një projektligji të ri në Qeveri që lidhej me sigurinë e të dhënave personale dhe mbrojtjen kibernetike, ajo tha se “e rëndësishme është që nuk ka dëme të riparueshme nga këto sulme”.

“Nuk ka pasur dëme të pariparueshme në sisteme, nuk janë marrë të dhëna. E rëndësishme është se nuk ka dëme të pariparueshme. Qëllim është vëzhgimi dhe kontrollimi i të gjitha sulmeve kibernetike në vazhdim. E ardhmja është dixhitale. Infrasktruktura e ngritur në kohë rekord që nga sulmi i parë iranian vite më parë është infrastrukturë me nivel të lartë. Por ne nuk mund t’i ndalojmë dot sulmet kibernetike, kjo sa i përket sigurisë kibernetike, por ne mund të monitorojmë dhe parandalojmë që të mos ketë dëme të riparueshme”, tha Ibrahimaj mes të tjerash.

E pyetur për sulmin ndaj AKSHI-t, ku është raportuar se janë vjedhur një sasi e madhe e të dhënave personale të qytetarëve por dhe institucioneve, Ibrahimaj e mohoi, duke deklaruar se deri tani nuk ka konkluzion zyrtar dhe penal nga Prokuroria dhe Gjykata se këto të dhëna janë përdorur nga keqbërësit.

“Fakti që të dhënat janë përdorur për interes privat është një opinion. Nuk jam në dijeni të këtij informacioni nga ana e Prokurorisë dhe kur Prokuroria e Gjykata të dalë me një qëndrim atëherë do kemi opinion të plotë. Monitorimi është i vazhdueshëm, sulmet janë gjithmonë me instrumente të reja teknologjike dhe ne jemi të fokusuar këtu, që të mos ketë goditje të pariparueshme”, tha ministrja socialiste.

delina brahimaj

Ndërkohë që shpjegoi se qeveria paralelisht miraton ligje të reja sipas standardeve të BE-së, ai ai i sotmi në Këshillin e Ministrave dhe për shkelësit aplikohen deri dhe gjoba.

“Për përdorimin e të dhënave personale ne po ndjekim procedurat ligjore, sipas standardeve Evropiane mbi ligjin kibernetik dhe në këtë kuadër ne kemi përgatitur ligjin për mbrojtjen kibernetike. Për këto shkelje aplikohen edhe gjoba. Ne sapo kaluam një ligj i cili lidhet me nënshkrimin elektronik, e miratuam projektligjin, që do rris sigurimin e përdorimit të të dhënave dhe më tej, ruajtjen e këtyre të dhënave në linjë me standardet e BE-së”, përfundoi Ibrahimaj.

Së fundmi është raportuar edhe sulmi ndaj Prokurorive të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Gjykatave, edhe pse Prokuroria e Përgjithshme e ka mohuar zyrtarisht sulmin kibernetik.

© Panorama.al

Te lidhura