VIDEO/ Marina e SHBA-ve kap anijen e tretë cisternë të naftës në ujërat e Karaibeve brenda 48 orëve, e lidhur me Rusinë dhe e sanksionuar! Shikoni pamjet e aksionit

Jan 9, 2026 | 15:42

Marina e SHBA-ve kap anijen e tretë cisternë të naftës në ujërat e Karaibeve brenda 48 orëve, e lidhur me Rusinë dhe e sanksionuar.

anija cisterne karaibe

Në një deklaratë, komanda e bashkuar luftarake e Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së për Amerikën Qendrore, Amerikën e Jugut dhe Karaibet ( Komanda Jugore e SHBA-së) tha:

“Edhe një herë, forcat tona të përbashkëta ndëragjenciale dërguan një mesazh të qartë këtë mëngjes: ‘Nuk ka strehë të sigurt për kriminelët’”.

Në një operacion para agimit, marinsat dhe marinarët nga Task Forca e Përbashkët Southern Spear, në bashkëpunim me Departamentin e Sigurisë Kombëtare, zbarkuan nga USS Gerald R. Ford dhe kapën Motor/Tanker Olina në Detin e Karaibeve pa rezistencë.

“Arrestime të tilla mbështeten nga forca e plotë e Grupit Amfib të Gatshëm të Marinës Amerikane, duke përfshirë platformat e USS Iwo Jima, USS San Antonio dhe USS Fort Lauderdale. Operacioni Southern Spear i Departamentit të Luftës është i palëkundur në misionin e tij për të mbrojtur atdheun tonë, duke i dhënë fund aktiviteteve të paligjshme dhe duke rivendosur sigurinë në Hemisferën Perëndimore”, vijon deklarata.

Ky është sekuestrimi i tretë i një anijeje të lidhur me Rusinë në 48 orët e fundit dhe i pesti nga Uashingtoni në javët e fundit, informon media ndërkombëtare.

“Sistemi i gjurmimit AIS (vendndodhjes) i anijes ishte aktiv për herë të fundit 52 ditë më parë në EEZ-në e Venezuelës, në verilindje të Curacaos,” tha veçmas firma britanike e menaxhimit të riskut detar Vanguard. “Sekuestrimi vjen pas një ndjekjeje të zgjatur të cisternave të lidhura me dërgesat e paligjshme të naftës nga Venezuela në rajon”.

“Olina” u largua nga Venezuela javën e kaluar e ngarkuar plotësisht me naftë si pjesë e një flotiljeje menjëherë pas arrestimit të Nicolas Maduros nga SHBA-të dhe po kthehej në vend e ngarkuar plotësisht, sipas një burimi të industrisë së energjisë.

SHBA-të vendosën sanksione ndaj cisternës në janar të vitit të kaluar, kur ajo quhej “Minerva M” dhe sipas Uashingtonit, ishte pjesë e të ashtuquajturës flotë hije ruse e anijeve që lundrojnë me rregullore minimale ose sigurim të njohur.

© Panorama.al

Te lidhura