Gazetari Namir Lapardhja është përcjellë sot për në banesën e fundit pas homazheve që iu bënë në Pallatin e Kulturës “Margarita Tutulani” në Berat (25 mars).
Drejtues të lartë të politikës shqiptare dhe miq të tij, e quajnë këtë humbje, një humbje të madhe për qytetin e Beratit dhe jo vetëm. Gazetari 40-vjeçar u nda nga jeta një javë më parë në Gjermani në mënyrë të papritur, si pasojë e një ataku kardiak.
Lajmi i trishtë preku jo vetëm familjarët dhe miqtë por të gjithë komunitetin ku ai kontribuoi me përkushtim në fushën e gazetarisë.
Në nderim të jetës dhe veprës së tij, në homazhet në Pallatin e Kulturës “Margarita Tutulani” në Berat, u mblodhën dhjetëra qytetarë, miq të afërt, drejtues të Partisë Demokratike, kolegë, si dhe drejtues vendor, për t’i dhënë atij lamtumirën e fundit.
Të pranishëm edhe miq dhe figura të njohura të artit e politikës, si Preç Zogaj, Roland Bejko, Yzedin Hima dhe të tjera. Mes atyre që bënë ngushëllime dhe homazhe, ishte edhe deputeti socialist Erion Braçe.
Pas homazheve, kortezhi mortor u nis drejt varrezave të Burdulliasit në Berat (në orën 13:00), ku u krye edhe ceremonia e përcjelljes së tij për në banesën e fundit.
Preç Zogaj, politikan dhe shkrimtar:
“Namiri ka moshën e djalit tim, na ka lidh libri, na ka rrit leximi. Fillimisht e kam takuar në panairet e librave dhe ishte i interesuar shumë dhe na bënte përshtypje që kërkonte të lexonte. Prej aty krijuam një lidhje të fortë, por kemi pasur edhe pika takimi të tjera, si me angazhimet politike e qytetare. Por gjithmonë me Namirin na ka lidh letërsia, kishte aftësi të veçantë, sidomos në recensa që askush s’i bënte më mirë sesa ai. Kohët e fundit kemi qëndruar edhe më gjatë, më është shfaqur Namiri edhe në natyrën njerëzore, me modestinë dhe vendosmërinë, intelektual i moderuar, kurajoz dhe nuk bënte kompromise banale. Ndarja e tij nga jeta është humbje e madhe për familjen patjetër, por edhe për botën intelektuale në përgjithësi, sepse s’kemi shumë intelektualë me cilësi si Namiri. Edhe për Beratin është një humbje e madhe, u trondita kur e mora vesh lajmin, sepse tre ditë para kisha folur me të për disa këshilla se çfarë të vizitoja, ishte si guidë. Djali e njihte gjithashtu se kanë qenë bashkë edhe në PD”.
Roland Bejko, politikan:
“20 vite më parë, Namirin e kam njohur pikërisht këtu ku jemi, në këtë vend ku po bëjmë edhe përcjelljen. Ishte një djalë i brishtë, por aq sa i brishtë dukej, aq i fortë ishte nga brenda. Me rritjen e tij, jo vetëm fizike por edhe profesionale, na bëri që këtë djalë ta dëgjojmë dhe jo thjesht ta këshillojmë. U bë një figurë e rëndësishme jo vetëm në gazetari, por edhe në jetën aktive të Beratit dhe telefonata e kontakti i parë që bëja kur vija në Berat ishte Namiri. Ka lënë boshllëk të madh, si në gazetari, ashtu edhe në familje. Zuri vendin e tij në mjedisin shqiptar, sot që është larguar ai vend është bosh. Të shpresojmë e besojmë se Zoti do e ketë afër tij. I thosha shpesh Namir Bej, erdhi si bej dhe si bej u largua.
Yzedin Hima, ish-drejtor i Drejtorisë Arsimore Berat:
“Namirin nuk e kam njohur thjesht si drejtues i Drejtorisë Arsimore kur kam qenë, por si një koleg, mësues, padyshim edhe si koleg në media dhe në veprimtarinë letrare. Edhe pse nuk ishte në moshë me mua, ishte bashkëbisedues i mrekullueshëm, shfaqej sikur të ishte bashkëmoshatar, me intelekt, mund të bisedoje dhe të këshilloheshe. Karakteri i tij u formua nëpërmjet librit dhe familjes së tij, sepse vinte nga një familje e persekutuar, por atë dhimbje e ktheu në tolerancë. Ikja e tij është ikje e humbje e madhe jo vetëm për familjen, por për Beratin, intelektualët dhe të gjithë Shqipërinë. Namiri ishte busull morale jo vetëm e këtij brezi, por edhe e të gjithë brezave që do vijnë”.
Kush ishte gazetari Namir Lapardhaja, jeta dhe vepra
I lindur në Berat në vitin 1986, ku edhe kaloi vitet e para të jetës, Namir Lapardhaja kreu studimet e mesme në Medresenë e qytetit, një përvojë që ndikoi në formimin e tij intelektual dhe në sistemin e vlerave që do ta shoqëronin më pas.
Më tej, ai ndoqi studimet e larta në Universitetin e Tiranës dhe përfundoi një master të nivelit të dytë në “Studime Letrare”, duke ndërtuar një profil që ndërthurte arsimin me analizën dhe publicistikën.
Ai ushtronte profesionin e mësuesit dhe paralelisht u angazhua në median e shkruar dhe atë vizive, ku u dallua për analizat dhe qëndrimet e tij të drejtpërdrejta mbi zhvillimet politike dhe shoqërore.
Angazhimi i tij lidhej ngushtë me qytetin e Beratit, ku ai njihej si një zë opozitar dhe pjesë e strukturave të Partia Demokratike. Megjithatë, në vitet e fundit ishte tërhequr nga përfshirja aktive në politikën vendore, duke u fokusuar më shumë në analizë dhe reflektim publik.
Ai ishte autor i tre librave, “Përtej heshtjes”, “Në kërkim të kuptimit” dhe “Refleksione”, përmes të cilëve sillte mendim kritik dhe reflektime mbi shoqërinë, letërsinë dhe përvojën njerëzore. Lapardhaja rridhte nga një familje e persekutuar beratase, një element që ndikoi në formimin e tij dhe në raportin kritik me realitetin politik dhe shoqëror.
Prej disa vitesh ai jetonte në Gjermani, pa u shkëputur nga debati publik në Shqipëri, ndërsa në jetën personale ishte baba i dy vajzave dhe njihej si një njeri i përkushtuar dhe korrekt në marrëdhëniet njerëzore dhe profesionale.
© Panorama.al


















