VIDEO/ Arratisja e Altin Ndocit, mbërriti në spital i lirë dhe pa pranga! Si u shkel rregullorja gjatë shoqërimit të tij

Jan 13, 2026 | 22:15

Ky është momenti kur Altin Ndoci mbërrin në oborrin e Spitalit Rajonal të Durrësit ditën e sotme para arratisjes, i shoqëruar me ambulancë bashkë me disa të burgosur të tjerë edhe disa efektivë, për të marrë ndihmë mjekësore.

Pamjet filmike tregojnë qartë se Ndoci zbret nga ambulanca i lirë, pa pranga, dhe më pas shoqërohet drejt godinës së spitalit nga efektivët.

Fakti që ai ndodhej pa masa sigurie fizike bie në kundërshti me rregulloren, pasi për shkak të rrezikshmërisë së tij, Ndoci duhej të ishte i prangosur gjatë gjithë kohës së shoqërimit.

ALTIN NDOCI (2)

Po ashtu, janë publikuar edhe pamjet që tregojnë momentin kur Altin Ndoci largohet me vrap nga ambientet e Spitalit të Durrësit, duke iu shmangur rojeve të sigurisë.

Në video, ai shihet duke vrapuar mes automjeteve në parkimin e spitalit dhe më pas zhduket pas një ndërtese, ku dyshohet se e priste një automjet tip “Audi”, me të cilin u arratis.

“Altin Ndoci dyshohet se është fshehur në Tiranë”, raportoi korrespondentja e Durrësit, Klodiana Haxhiaj në emisionin “Studio 24”, ndërsa shtoi se automjeti tip “Audi” me të cilin u arratis 38-vjeçari është parë për herë të fundit në autostradën Tiranë-Durrës, pranë Vorës.

Ajo tha se policia ka humbur gjurmët në këtë zonë, ndërsa po punon për të mbledhur kamerat e sigurisë në hyrje të kryeqytetit.

“38-vjeçari duket se është fshehur në Tiranë. Janë këto informacionet e fundit që vijën nga grupi hetimor në Durrës. Makina Audi, me të cilin u arratis rreth orës 13: së bashku e një person tjetër, është parë për herë të fundit në autostradën Tiranë Durrës duke kaluar Vorën. Në hyrje të Tiranës, policia ka humbur gjurmët e automjetit.”, tha gazetarja.

Sipas gazetares, një tjetër detaj që e shtyn grupin hetimor se ngjarja ka qenë e planifikuar është fakti se policia është njoftuar 10 minuta me vonesë.

“Është vonesa me të cilën është lajmëruar policia e Durrësit. Ngjarja ka ndodhur në ambientet e repartit infektiv të spitalit, ngjarja ka ndodhur në orën 13:02 minuta. Ku në katin e 4 ku është edhe një zonë e posaçme për trajtimin e të burgosurve, ndërkohë policia e Durrësit është lajmëruar në 13:12 minuta. 10 minuta me vonesë”, u shpreh gazetarja.

Kujtojmë se “Audi A7”, i cili dyshohet se u përdor për largimin e tij nga ambientet e spitalit, rezulton të ketë pasur targa të vjedhura, të denoncuara disa ditë më parë.

"Audi" me të cilin u arratis Altin Ndoci
“Audi” me të cilin u arratis Altin Ndoci

Targat i përkasin një automjeti të së njëjtës markë dhe model, “Audi A7”, çka tregon se autorët kanë planifikuar me kujdes skemën e arratisjes.

Sipas raportimeve, Altin Ndoci ai kishte shkuar në spital për të kryer disa vizita mjekësore bashkë me një të paraburgosur tjetër dhe shoqëroheshin në total nga 5 efektivë policie, ndërsa dy qëndronin në furgon poshtë spitalit.

Altin Ndoci duke u larguar me vrap dhe polici me armë në dorë
Altin Ndoci duke u larguar me vrap dhe polici me armë në dorë

Në një moment, Ndoci ka kërkuar që të shkonte në tualet dhe është shoqëruar nga dy efektivë. Sapo ka dalë nga tualeti, ai i ka goditur dy efektivët në pjesën e barkut dhe i ka shtyrë duke i larguar me shpejtësi nga kati i tretë i spitalit.

Pas arratisjes spektakolare të Altin Ndocit, efektivët e burgut nuk kanë mundur të bëjnë dot asgjë.

Siç duket edhe nga pamja e siguruar nga Panorama Online, një punonjës policie ka ndjekur Ndocin gjatë momentit të tij të largimit, madje duke qëlluar edhe një herë në ajër. Ai është identifikuar si Fatjon Baci, i njëjti efektiv, i cili vitin e kaluar është përfshirë në një tjetër episod të shqyrtuar nga drejtësia, por këtë herë me krye bashkiakun e arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj.

polici altin ndoci polici me arme
Polici me armë në dorë duke kërkuar Altin Ndocin

Pas arratisjes së Ndocit, zinxhiri komandues i burgut të Durrësit u pezullua nga detyra. Në total u pezulluan 10 persona, mes të cilëve drejtori i burgut të Durrësit, Indrit Cerloj, zëvendës drejtori si edhe mjeku i burgut.

Njoftimi i Drejtorisë së Burgjeve për arratisjen e Ndocit:

Paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore. Të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit.

Pavarësisht ndërhyrrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali. Strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Altin Ndoci
Altin Ndoci

Dyshohet për 4 vrasje

Altin Ndoci u arrestua në korrik 2020 gjatë operacionit “Plumbi i Artë”, si i dyshuar për vrasjen e 4 personave, fillimisht dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhiaj në Durrës dhe ekzekutimin e dy personave të tjerë 2020 Anxhelo Avdija dhe Dorian Shkozën.

Por me 2 prill 2024, Gjykata e Posaçme pushoi të gjitha akuzat ndaj Altin Ndocit, përfshirë edhe dyshimi për vrasjen e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdija, duke e shpallur të pafajshëm atë. Ishin dëshmitë e të arrestuarit, Klevis Alla, i cili e përfshiu Altin Ndocin në këto 4 vrasje por Gjykata e Posaçme nuk u bind nga këto dëshmi ç’ka bëri që të marrë pafajësinë.

Nga ana tjetër, për vrasjen e dy vëllezërve Haxhia, Gjykata e posaçme dënoi me 25 vite burg Klevis Allën. Megjithëse Altin Ndoci fitoi pafajësinë në vitin 2024 ai nuk mundi të dalë nga burgu, pasi SPAK ka ngritur akuza të tjera kundër tij, pas dëshmive të Nuredin Dumanit, i cili e përfshin në disa ngjarje të rënda.

Në dëshmitë e dhëna në SPAK nga i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, Klevis Alla dyshohet si pjesëmarrës në vrasjen e Andi Zylyfit dhe plagosjen e Ardit Uruçit kryer në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”.

Gjithashtu Ndoci mbahej në burg edhe për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, shpërthyese dhe i municionit”, e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”.

© Panorama.al

Te lidhura