EMISIONI VETTING
Në 29 maj 2025, në krye të Drejtorisë së Tatimeve Rajonale Tiranë do të vendosej si drejtuese Erilinda Lala në pozicion të komanduar. Dokumentet e siguruara nga “Vetting” dhe korrenspondeca me institucionet publike japin indicie se Drejtoresha Lala është përfshirë në një sërë shkeljesh të rënda si fshehje pasurie së bashku me bashkëshortin Taulant Godroli.
Dokumentet publike tregojnë se si lidhja midis Drejtoreshës së Tatimeve Tiranë, Erilinda Lala dhe Taulant Godrolit, ka indicie të forta, ku sipas dokumenteve dhe denoncimeve publike, lidhja midis këtyre personave dhe kompanisë “Alko-Impex General Construction” me administrator A.A ngre dyshime për mënyrën se si kjo kompani ka përfituar kontrata publike me vlerë në dhjetëra miliona euro.
Denoncimi i parë publik është bërë në maj 2016 nga Partia Demokratike nëpërmjet ish-deputetes Grida Duma, deklaratë e cila ekspozonte punën e Komisionit të Prokurimeve Publike, përsa i përket ankesave të kompanive private.
“Kemi sot pyetje të rëndësishme që kërkojnë përgjigje. A është sot njëri prej drejtuesve të kompanisë së Sadriut, funksionar i lartë i KPP-së? A ka lidhje përfaqësuesi ligjor i kompanisë së Sadriut me një funksionare të lartë Komisionit të Prokurimeve Publike?”, do të ngrinte pyetjet ish deputetja e PD-së Grida Duma.
Do të kalonte pothuajse një dekadë nga ky denoncim publik që dosja e kompanive “Alko-Impex General Construction” dhe ALKO IMPEX CONSTRUCTION (ish KLEDOR ALBANIA-09) së bashku me A.A , të futej nën hetim nga SPAK, pasi dyshohet se ka përfituar dhjetëra miliona euro fonde publike me paracaktim nga ish-zv.kryeministrja dhe njëkohësisht ish-ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Kjo e fundit ndodhet nën mburojën e mazhorancës socialiste, e cila i mohoi SPAK-ut kërkesën për arrestimin e saj, duke kundërshtuar për herë të parë një kërkesë të Prokurorisë së Posaçme.
Lala-Godroli, përplasja teatrale që ngriti perandorinë Alko Impex
Sipas informacioneve të siguruara nga “Vetting” ka dyshime të forta se Drejtoresha e Tatimeve Tiranë, Erilinda Lala dhe bashkëshorti Taulant Godroli mund të kenë qenë në konflikt interesi si në procesin e ankimimit në Komisionin e Prokurimit Publik, ashtu edhe në gjykatë. Kjo pasi Erilinda Lala ka qenë juriste pranë (Komisionit te Prokurimit Publik) KPP-së, ndërkohë që Taulant Godroli ishte jurist te kompania “Alko-Impex General Construction” kur palët përballeshin te KPP-ja ose në Gjykatën Administrative.
Vetëm në periudhën 2014-2018, kompania “Alko-Impex General Construction”, me administrator A.A, do të bënte një fushatë të ethshme gjyqësore nëpër shkallët e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, si edhe asaj të Apelit.
Do të ishte kjo periudha e artë kur kompania do të ngjiste shkallët në Prokurimin Publik, duke siguruar kontrata të majme në shkelje të mundshme të ligjit të prokurimit publik, pavarësisht kundërshtimit nga Komisionet e Vlerësimit të Ofertave apo Agjencia e Prokurimit Publik. Edhe pse do të paditej disa herë në gjykatë nga kompani private të skualifikuara nga Komisioni i Prokurimit Publik, përsëri kompania do të triumfonte.
Sipas avokates Margarita Kola, këto raste duhen sqaruar kur palët përballen në Gjykatë. “Në qoftë se përfaqësuesi i asaj kompanisë, ka qenë burri i kësaj zonjës, e cila ishte në anën tjetër, palët kanë patur për detyrë t’ua vënë në dijeni Gjykatës. Pastaj ishte gjykata që shihte nëse kishte konflikt interesi apo jo”, u shpreh avokatja Kola.
© Panorama.al











