“Verës zbrazin digat, ia shesin sekserëve”- Berisha denoncon vjedhjen e energjisë: Rama e ka futur drejtësinë në xhep. Gjoba në Arbitrazh do shkojë 1.5 mld dollarë

Apr 8, 2023 | 19:32

Ish kryeministri Sali Berisha ka denoncuar vjedhjen e energjisë elektrike nga qeveria e kryeministrit Edi Rama.

Energjia-elektrike

Nga Fieri, ku prezantoi kandidatin e opozitës për kryetar bashkie, Berisha u shpreh se qeveria hap kaskadën në verë dhe ia shet energjinë sekserëve me çmim të lirë.

“Këta kanë gjetur mekanizmin e vjedhjes së tmerrshëm të energjisë. Verës zbrazin digat e ndaluar me ligj gjatë verës. Ia shesin sekserëve të tyre shqiptarë. Ia shesin me 30-40 euro dhe energjinë e blerë nga HEC-et publike e shesin në bursë me 200 euro.

Vjen vjeshta Kaskada e zbrazur, shkojnë dhe blejnë energji 300 euro. Gjithçka është vjedhje që i bëhet qytetarëve në një kohë kur kaskada është mrekulli sepse të lejon të depozitosh energji. Çfarë bëhet me bordet ndaj jush. Pse po ikin shqiptarët? Nga varfëria”, deklaroi ai.

Berisha theksoi se gjoba e Shqipërisë në Arbitrazh për faj të qeverisë mund të shkojë deri në 1.5 miliard dollarë.

“Ky drejtësinë e ka futur në xhep. Shkoni në gjykata. Asnjë gjyq nuk fiton qytetari. Tani mendon se gjykatat ndërkombëtare janë si gjykatat e Tiranës dhe thotë do dal nga Gjykata Ndërkombëtare. Dil provoje njëherë. 156 mln janë ndarë nga buxheti për të paguar gjobat që kemi marrë në arbitrazh.

Ju garantoj se me 12 çështje të tjera që ndodhet në të njëjtën gjykatë dhe 5-6 çështje të tjera në Paris dhe Zvicër gjoba e Shqipërisë do të shkojë të paktën 1.5 mld dollarë. Më shumë se 2 vite rrogat e të gjithë shqiptarë. A mbahet një kryeministër i tillë hajdut dhe mashtrues? Kurrën e kurrës. 14 Maji është një ditë që ndan historinë, një ditë ku duhet të bashkohemi të gjithë, demokratë, të paparti, socialistë”, u shpreh ai

© Panorama.al

Te lidhura