Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi, duke vendosur një rritje të saj në 50 mijë lekë në muaj.
Sipas vendimit, paga bazë minimale mujore prej 50 000 lekësh është e detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjithë punëdhënësit, qofshin ata persona fizikë apo juridikë, vendas ose të huaj, që operojnë në Shqipëri.
Paga minimale është llogaritur për 174 orë pune në muaj, që përfaqësojnë kohën normale të punës. Në bazë të kësaj, paga minimale orare do të jetë 287.3 lekë për orë.
Vendimi saktëson gjithashtu se çdo shtesë me karakter të përhershëm (si përvoja në punë apo kualifikimi) duhet të jepet mbi pagën bazë minimale dhe nuk përfshihet brenda saj.
Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shfuqizohet vendimi i mëparshëm i Këshillit të Ministrave i vitit 2023, i cili përcaktonte nivelin e mëparshëm të pagës minimale.
Vendimi do të hyjë në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”, ndërsa efektet financiare për punonjësit do të nisin nga data 1 janar 2026.
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E PAGËS MINIMALE NË SHKALLË VENDI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 111, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1996, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 8.1, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Paga bazë minimale mujore për punonjësit në shkallë vendi, që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj, të jetë 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
2. Paga bazë minimale mujore jepet për 174 (njëqind e shtatëdhjetë e katër) orë pune në muaj, të kryera gjatë kohës normale të punës.
3. Paga bazë minimale orare të jetë 287.3 (dyqind e tetëdhjetë e shtatë pikë tre) lekë.
4. Shtesat me karakter të përhershëm jepen mbi pagën bazë.
5. Vendimi nr.113, datë 1.3.2023, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi”, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet financiare nga data 1 janar 2026.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
© Panorama.al












