Ushqimet pa TVSH, PD voton kundër

Dec 21, 2011 | 12:04

Komisioni i Ekonomise

Debati për propozimin e PS: Nuk ndikon në uljen e çmimeve.

Nisma e socialistëve për të hequr apo ulur  TVSH-në e disa produkteve kryesore ushqimore dhe të energjisë, si një mekanizëm për të ndihmuar shtresat në nevojë, ka hasur në kundërshtimin e maxhorancës. I diskutuar dje në Komisionin e Ekonomisë, propozimi i së majtës u prezantua nga deputetja Mimi Kodheli, ndërkohë që nga Ministria e Financave argumentet e qëndrimit kundër i dha zëvendësministri Alfred Rushaj. Ai theksoi se asgjë nuk garanton që kërkesa e PS-së për të hequr TVSH-në do të shoqërohet me ulje të çmimeve për produktet që janë propozuar, madje një nismë e tillë mund të favorizojë evazionin fiskal, u shpreh Rushaj. “TVSH-ja e shkallëzuar, veçanërisht për këto lloj produktesh, do të mund të nxiste evazionin fiskal te shitësit e këtyre produkteve”, theksoi Rushaj. Të njëjtën linjë kundër e kanë mbrojtur edhe deputetët e së djathtës, Sybi Hida dhe Florion Mima, duke vënë në dyshim faktin që ulja e TVSH-së do të ndiqet nga ulja e çmimeve, duke marrë si shembull heqjen e TVSH-së për arsimin, që nuk solli asnjë ndryshim në çmime. Mima vlerësoi se një nga pasuritë që ka Shqipëria sot është sistemi me bazë të gjerë dhe njëshkallësh. Akuzat më të forta për propozimin e Partisë Socialiste i ka bërë deputeti Flamur Noka, duke lakuar se pas kërkesës së bërë fshihen interesat e bizneseve që janë pranë kësaj partie. “Zotërinj, mund të na thoni se për çfarë arsye e keni paraqitur këtë projektligj? Tani, për sa kohë ju e thoni me gojën tuaj që nuk ka impakt në çmime, pse e propozoni? Sepse keni hallin e bizneseve tuaja dhe njerëzve tuaj të afërt që duhet të shpëtojnë nga TVSH-ja. Në rast se Caci jua ka bërë këtë propozim sepse Cacit i rëndon TVSH-ja në bizneset e tij, ju të paktën të keni pak skrupuj kur mbroni një gjë të pambrojtshme”, tha Noka. Kjo deklaratë e tij ka gjetur menjëherë reagimin e opozitës, e cila është shprehur se nëse ulja e TVSH-së nuk jep efektin e duhur, kjo është vetëm për faj të mënyrës se si funksionon sot tregu si një monopol që nuk zbaton ligjet. “Nëse Shqipëria do të vazhdojë të funksionojë me tregje si pazar, pavarësisht ligjeve që janë miratuar, natyrisht që efekti nuk do të jetë ai që pritet. Por, nëse ky vend funksionon në bazë të ligjeve dhe tregjeve të lira jo të kontrolluara nga kompani shërbimesh që operojnë në kushtet e Shqipërisë, në kushte monopoli të pastër, natyrisht që efekti do të shkojë drejtpërdrejt te qytetarët shqiptarë”, tha deputeti Erjon Braçe. Edhe deputeti Arben Malaj ka mbështetur këtë deklaratë, duke theksuar se shpejtësia e uljes së çmimit ka të bëjë me atë se si funksionon një ekonomi reale tregu. “Duhet të pranojmë që në funksionimin e tregut dhe në ekonominë shqiptare ka probleme shumë më të mprehta se ajo që ju deklaroni me mburrje që ajo është në mënyrë absolute në rregull”, tha Malaj. Në fund, propozimi i Partisë Socialiste u hodh në votë dhe maxhoranca vuri 11 votat e saj kundër përballë 7 pro të opozitës.

Propozimet e PS
TVSH 0%

për grurin, miellin, bukën, qumështin dhe vezën

TVSH 10%
për vajin, sheqerin dhe orizin

Përjashtim nga TVSH
për barnat dhe shërbimet shëndetësore

TVSH 6%
për energjinë që konsumohet nga familjarët

Debati në Komisionin e Ekonomisë
Rushaj:
Kryesorja në vendimmarrjen tonë është që kjo iniciativë nuk do të sillte efektin e dëshiruar te shtresat në nevojë. Edhe sikur skenari juaj që keni propozuar të mund të realizohej, duhet të keni parasysh që një pjesë e mirë e njerëzve që nuk janë në nevojë do të konsumonin dhe blinin mbase dhe më shumë se njerëzit që kanë probleme me të ardhurat e tyre. TVSH-ja e shkallëzuar, veçanërisht për këto lloj produktesh, do të mund të nxiste evazionin fiskal te shitësit e këtyre produkteve. Imagjinoni në një supermarket ku janë me qindra artikuj, shitësit do të përpiqeshin të deklaronin vetëm shitjen e produkteve që kishin shkallë të ulët TVSH-je.
Florion Mima: Unë do thosha që një projekt meriton aq seriozitet sa serioz është. Një nga pasuritë që ka Shqipëria sot është sistemi me bazë të gjerë  dhe njëshkallësh. Sot kemi një tentativë për ta bërë copa-copa këtë aset në emër të dhimbsurisë për çmimet. Ju pretendoni se çmimet do të tregohen dukshëm të lakueshëm dhe do të ndjekin kurbën e uljes së TVSH-së. A mund të përgjigjet sot dikush për çmimet në sistemin arsimor që vjet kishin TVSH dhe sivjet jo, dhe prapë janë njëlloj.
Arben Ahmetaj: Projekti ynë jo vetëm që është serioz, po shkon aty ku u dhemb qytetarëve, te çmimet e rritura, te çmimi i energjisë, te produktet ushqimore që janë bërë të papërballueshme. Është rasti të themi që kjo që ne jemi duke propozuar, ulja e TVHS-së, duke përfshirë edhe energjinë, ka qenë pjesë e programit tuaj, por në kuadrin e gënjeshtrës së madhe, nuk e bëtë.
Edmond Spaho: Kur keni qenë ju ka qenë më keq.
Arben Ahmetaj: Ka mundësi të mos vazhdosh më dhe të sillesh si kryetar? Mbylle gojën të mbaroj unë dhe fol ti pastaj. Sa i përket uljes së produkteve ushqimore, këtu është përmendur që kjo që do të ndodhë është dëmtimi i produktit vendas. Ky është argumenti më qesharak që mund të jepet me këtë propozim.
Sybi Hida: Propozimi nuk është ekonomik, por politik, pasi synimet e tij për uljen e çmimit nuk arrihen. Ne gjatë këtyre viteve kemi parë shumë herë që edhe kur është ulur taksa doganore, e cila  mund të jetë një taksë e një natyre të njëjtë me ndryshimin e TVSH-së, nuk kemi pasur asnjëherë ulje të çmimit. Nga ana tjetër, ka dhe një argument ekonomik, që zëvendësministri e përmendi pak. Nëse ulja e TVSH-së ul çmimet, ato mund të përthithen nga një shtesë jo e varfër, por tjetër, e cila do të çonte në rritjen e kërkesës dhe, rrjedhimisht, në rritje çmimi.
Arben Malaj: Diskutimi që ka lindur për propozimet e PS-së ka ardhur nga situata sociale. E para, ju duhet të jeni të ndërgjegjshëm që jemi prekur thellë nga kriza. Në një vend ku përgjysmohet rritja ekonomike, rritet varfëria dhe efektet sociale bëhen më të dukshme. Në një vend ku kredia e keqe shkon 20 për qind, do të thotë që patjetër është rritur varfëria. Nuk keni pse ta atakoni propozimin si politik. Ky është një propozim që PS mendon që mund t’i shërbejë më mirë menaxhimit të krizës së grupeve që mendohet se janë prekur më shumë. Çmimi mund të mos ulet dhe për shkak të asaj se është fiksuar, pasi kështu ndodh kur tregjet janë monopol dhe nuk kontrollohen dot. Duhet të pranojmë që në funksionimin e tregut dhe në ekonominë shqiptare ka probleme shumë të mprehta.
Edmond Spaho: Në fakt, kur të dëgjon si flet, si përfaqësues i shtresave në nevojë, pothuajse ta mbush mendjen, por kur kujtohesh që në 1997-n ke qenë ministri që e ke rritur nga 12.5 për qind në 20 për qind TVSH-në, të ikën bindja.
Ervin Koçi: Për çmimet ne nuk themi që patjetër do të ulen, por kjo duhet të ketë me patjetër një mekanizëm kontrolli.
Edmond Spaho: Në ka pasur një qeveri që ka ulur taksa, është kjo që kemi sot. Je duke bërë vetëm demagogji.
Ervin Koçi: Çmimet monitoroi, mekanizmin e ke, administratën e ke. Monitoroi nga të gjitha nivelet, nga ku vijnë deri ku shkojnë.
Flamur Noka: Keni sjellë një propozim për ndryshimin e TVSH-së dhe në sinkron të gjithë ju kolegë socialistë pranoni që ky ndryshim nuk ka impaktin e çmimit. Pra, të gjithë pranuat që ky projektligj që paraqisni ju mund të mos ketë asnjë impakt në uljen e çmimit. Atëherë, zotërinj, mund të na thoni se për çfarë arsye e keni paraqitur këtë projektligj? Tani, për sa kohë ju e thoni me gojën tuaj që nuk ka impakt në çmime, pse e propozoni? Keni hallin e bizneseve tuaja dhe njerëzve tuaj të afërt që duhet të shpëtojnë nga TVSH-ja. Ju vetë e propozoni, vetë e kundërshtoni. Dhe kush? Ju, që në vitin 1997 e bëtë 20 për qind. U pasuruat, u trashët, u bëtë milionerë me biznese dhe sot vini dhe mundoheni për demagogji. Të vijë këtu një grup miliarderësh dhe të qajnë e të vajtojnë për qytetarët hallexhinj të këtij vendi, kjo është ironi therëse. Kështu, në rast se Caci jua ka bërë këtë propozim sepse Cacit i rëndon TVSH-ja në bizneset e tij, ju të paktën të keni pak skrupuj kur mbroni një gjë të pambrojtshme.
Albert Caci: Qëkur bëmë propozimin, e kishim të qartë refuzimin tuaj, pasi në thelb këtu ka një ndryshim. Ju shikoni një Shqipëri që me rritjen e rrogave që keni bërë ju niveli i jetesës është rritur, ne shikojmë që listat e ushqimeve në dyqane janë bërë fenomen në zgjerim. Ne menduam që do të ishte mirë që të mos bëhej një rrugë në ndonjë cep dhe të mbështetej kjo kategori në nevojë. Donim të tregonim vetëm një gjë.
Erjon Braçe: Pjesën më të madhe të argumenteve i dhanë kolegët. Unë doja të ndalesha te njëri nga konkluzionet që bëri njëri nga kolegët, që ky propozim vjen në ndihmë të një grupi kompanish private. Natyrisht që kur flasim për të tilla gjëra, duhet të kemi fakte dhe duhet të kemi edhe prova. Ka disa raporte shumë të rëndësishme të Autoritetit të Konkurrencës që referojnë konkretisht kompanitë që zotërojnë tregun e këtyre produkteve sot në Shqipëri. Natyrisht që përtej këtyre raporteve ka pasur deklarime të mëhershme kur ka qenë në opozitë ai që sot është Kryeministri i vendit dhe kryetar i PD-së lidhur me atë se kush i kontrollon tregjet e këtyre produkteve sot në Shqipëri. Natyrisht, argumentet nuk mund të lëvizin vetëm për shkakun se ti kalon nga opozita në qeveri. Nëse doni të dini kush i kontrollon tregjet e këtyre produkteve ushqimore në Shqipëri…
(Ndërhyn Spaho duke kërkuar që të flasë me fakte dhe emra.)
Erjon Braçe: A ka mundësi ta mbaroj, se i ke dhjetë aksionarë? Edmond, tani po ta them drejtpërdrejt sepse të shoh çdo të shtunë kur më del në televizione. Dhjetë aksionerët e këtyre kompanive që tregtojnë produkte të tilla i ke ti mbi shpatulla atje në stadiumin e Korçës. Që mos ta zgjasim më këtë histori, nëse Shqipëria do të vazhdojë të funksionojë me tregje si pazar, pavarësisht ligjeve që janë miratuar, duke përfshirë dhe atë skontrinon, natyrisht që efekti nuk do të jetë ai që pritet. Por, nëse ky vend funksionon në bazë të ligjeve dhe tregjeve të lira jo të kontrolluara nga kompani shërbimesh që operojnë në kushtet e një monopoli të pastër, natyrisht që efekti do të shkojë drejtpërdrejt te qytetarët shqiptarë. Sot dihet cilat janë ato kompani që kanë kapur tregun se dy janë. Ju shkoni në ndonjë inaugurim prapë, me ndonjë çantë në radhë.
Flamur Noka: Ne do të shkojmë në çdo inaugurim. Nëse inaugurimet ju errësojnë sytë se ju paraqesin një Shqipëri në zhvillim, kjo është tjetër gjë. Sot në gjithë diskutimet që bëtë demonstruat se një pjesë e mirë e partisë suaj të re me anëtarët e sapozgjedhur me biznese të forta ju ka kapur për fyti në mos ju, kryetarin, dhe ju imponojnë që të vini këtu të propozoni këtë projekt.

Reagimi: Rama në Twitter: Taksat, ne jemi për të varfrit
Kryesocialisti Edi Rama e ka komentuar nga Twitter-i vendimin e marrë nga Komisioni Ekonomisë për propozimet e PS. Rrëzimi i këtyre propozimeve, sipas Ramës, tregon edhe njëherë se opozita përfaqëson interesat e njerëzve të zakonshëm, ndërsa maxhoranca mbron interesat e klanit të saj. “Rrëzimi i planit tonë për uljen e taksës së ushqimeve sot në Kuvend konfirmon që ne jemi për njerëzit e zakonshëm, ata për klientët e tyre”, tha Rama. Socialistët propozuan sot në Komisionin e Ekonomisë uljen e TVSH-së për disa produkte bazë ushqimore, si dhe për energjinë elektrike.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura