U ‘ngujuan’ në banesë prej më shumë se 10 orësh! 2 të armatosurit në Fushë Arrëz ishin prej kohësh nën vëzhgimin e Antiterrorit, e kaluara e tyre e errët

Nov 24, 2025 | 22:07

Zbardhen detaje të reja nga ngjarja në Orosh të Fushë Arrëzit, ku Julian Cumraku dhe Hamza Uka qëndruan të izoluar dhe të armatosur  për më shumë se 10 orë në një banesë të braktisur, ndërsa policia dhe RENEA vijonin thirrjet për dorëzim.

fushe arrez

Julian Cumraku dhe Hamza Uka u dorëzuan pas shumë orësh negociata me policinë dhe të afërmit e tyre, ndërkohë që nuk munguan as kërcënimet me armë zjarri nga ana e tyre.

Gjatë orëve të izolimit, nuk munguan kërcënimet me armë zjarri, duke e bërë situatën tepër të rrezikshme.

Sipas burimeve, Cumraku dhe Uka ishin pikasur herët në mëngjes nga patrulla të Policisë së Pukës, çka çoi në rrethimin e menjëhershëm të ndërtesës ku fshiheshin.

Burime  bëjnë me dije se të dy personat ishin prej kohësh në vëzhgim nga strukturat e Antiterrorit.

Hamza Uka—ish-pjesëtar i forcave paqeruajtëse shqiptare në Irak—ka dalë më herët në media për një çështje gjyqësore, në të cilën ai ishte dënuar me tre vite burg për akuzën e “nxitjes së urrejtjes fetare”.

Në vitin 2015, Uka u arrestua si i dyshuar për përgatitjen e fëmijëve dhe të rinjve për t’u bashkuar me ISIS, akuzë që aso kohe solli përplasje të forta mes Ukës dhe gjyqtarit Bibë Ndreca.

Dy personat, ndonëse rrallë ishin parë në rrugët e fshatit, nuk kishin shkaktuar probleme. Madje, ata kishin frekuentuar edhe xhaminë e fshatit Kryezi, në të cilën nuk ofrohen shërbesa të rregullta për shkak të mungesës së personelit fetar.

Dyshimet se ata ishin të armatosur rëndë e bënë situatën edhe më të rrezikshme, ndaj forcat speciale shmangën çdo ndërhyrje direkte deri në sigurimin e kushteve për një zgjidhje pa pasoja, edhe pse të dy ishin të vendosur të mos i përgjigjeshin thirrjeve për dorëzim të policisë.

© Panorama.al

Te lidhura