Media e njohur britanike, Daily Mail i ka bere jehonë dënimit me burg të përjetshëm të Ruben Saraivës, portugezit i akuzuar si autori i vrasjes së biznesmenit shqiptar Ardian Nikulaj më 19 prill 2023 në Shëngjin. Gazeta britanike ka publikuar fotot në sallën e gjyqit të Ruben Saraiva, teksa në shkrim theksohet se ai është paguar 1 milion paund për të kryer këtë vrasje.
Gjykata e Lezhës e shpalli Saraivën fajtor për veprat penale “Vrasje e kryer për interes ose hakmarrje” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Ngjarja ndodhi brenda hotelit të Nikulajt, ku biznesmeni ishte ulur në ambientet e lokalit kur Saraiva, i maskuar me skafandër në kokë, iu afrua dhe e qëlloi për vdekje.
Sipas prokurorisë, porositësi i mundshëm i vrasjes është Edmond Haxhia, që jeton në Britaninë e Madhe, për motive hakmarrjeje. Në ekzekutimin e atentatit kanë qenë të përfshirë edhe katër shtetas britanikë: Stephen Hunt, Thomas Mithan, Harriet Bridgeman dhe Harry Simson.
Vrasja e Ardian Nikulajt konsiderohet si vijim i një zinxhiri hakmarrjeje mes familjes Nikulaj dhe fisit Lekstakaj, konflikt ky i nisur në vitin 1997, që ka shkaktuar shumë viktima gjatë dekadave.
Artikulli i plotë i Daily Mail:
Një vrasës i rritur në Home Counties u dënuar të enjten me burg të përjetshëm pa mundësi lirimi pas ekzekutimit të një biznesmeni shqiptar në një atentat me vlerë prej 1 milion paundësh, i cili dyshohet të ketë qenë i organizuar nga Mbretëria e Bashkuar.
Ruben Saraiva, i rritur në Reading, Berkshire, ishte i maskuar si një shpërndarës kur hyri në një hotel pesë yjesh në një resort bregdetar në Ballkan, në pronësi të Ardian Nikulajt, dhe e qëlloi atë gjashtë herë.
Vrasësi mizor kishte udhëtuar nga Londra në Shqipëri dy muaj para atentatit në prill 2023 si anëtar kryesor i një grupi të dyshuar britanik – që sipas prokurorisë raportohet se përfshinte edhe një nënë të re nga Bristol – të angazhuar për të kryer operacionin.
Në një gjykatë me siguri të lartë në Lezhë, gjyqtari i lartë Lirim Bulica i tha Ruben Sarajvës se do të kalonte pjesën tjetër të jetës në një burg me siguri të lartë, pasi e shpalli fajtor për vrasje me paramendim në bashkëpunim me të tjerë dhe për mbajtje të paligjshme të armëve.
I veshur me tuta të zeza Nike, ndërsa qëndronte disa metra larg gruas së viktimës, Saraiva tundte kokën në kabinën me xham, ndërsa shpallej vendimi.
Vrasja dyshohet të ketë qenë planifikuar nga një anëtar i një familjeje rivale shqiptare, tani e vendosur në Britani, e cila dyshonte se Nikulaj, baba i katër fëmijëve, kishte vrarë një prej të afërmve të tyre si pjesë e një “gjakmarrje” midis familjeve, që ka zgjatur pothuajse tre dekada dhe ka marrë jetën e nëntë personave.
Britanikët u përzgjodhën për të kryer operacionin sepse, ndërsa Nikulaj ishte në alarm për atentatorë lokalë, nuk do të dyshonte kurrë ndonjë rrezik nga vizitorët nga Anglia.
Ruben Saraiva qëndroi në pritje në një shkallë të një pallati për disa ditë, ndërsa britanikët e tjerë regjistruan hyrjen në hotelin e ri të Nikulajt, në resortin bregdetar të Shëngjinit në veri të Shqipërisë, ku dyshohet se u prezantuan si turistë për të spiunuar atë dhe familjen e tij që punonte aty.
Ata thuhet se kanë pranuar vakte falas nga viktima, kanë biseduar me gruan e tij dhe janë afruar me djalin e tij 13-vjeçar, duke ndjekur lëvizjet e objektivit përpara se njëri të jepte sinjalin për Ruben Saraivën që të sulmonte Adrian Nikualjn.
Pamjet e tmerrshme të kamerave kapën momentin kur 30-vjeçari – i veshur si shpërndarës me xhaketë të fosforeshente dhe helmetë motorri dhe maskë kirurgjike – hyn në barin e hotelit dhe nxjerr pistoletën dhe me pas hapi zjarr.
Saraiva iku nga vendi i krimit me motor dhe kaloi kufirin me këmbë nga Shqipëria në Greqi, disa orë më vonë, ai u arrestua pasi më pas hyri në Marok me dokumente të falsifikuara dhe u ekstradua në Shqipëri për t’u gjykuar.
Nuk dihet sa i ishte ofruar Ruben Saraivës për rolin e tij në operacion, por familja e Adrian Nikulajt tha se më parë ishte paralajmëruar se atentatorë lokalë kishin refuzuar shumën 1 milion paund për ta vrarë.
Ruben Saraiva ka lindur nga prindër portugezë që emigruan në Britani kur ai ishte katër vjeç. Ai ndante kohën mes shtëpisë së babait në Reading, Berkshire, dhe shtëpisë së nënës në jug të Londrës. Ai ka dënime në Britani për trafik droge dhe sulme me thikë.
Pavarësisht se ka jetuar pjesën më të madhe të jetës në Britani, prindërit e tij nuk aplikuan kurrë për shtetësi, kështu që ai mbetet shtetas portugez.
Më 14 shkurt 2023, ai u mor nga aeroporti i Tiranës nga Edmond Haxhia, i akuzuar për organizimin e grupit që eliminoi Adrian Nikulajn. Edmond Haxhia, i cili jeton në Birmingham, është kushëri i parë i dy burrave nga familja Lekstakaj, e përfshirë në hakmarrjen e gjatë me familjen Nikulaj, thanë prokurorët në gjykatë.
Sipas traditës shqiptare të gjakmarrjes, një familje duhet të hakmerret për vrasjen e një të afërmi duke vrarë një anëtar mashkull të familjes së vrasësit – të cilët më pas duhet të bëjnë të njëjtën gjë – në një cikël të vazhdueshëm gjaku.
Nikolaj besohet se ishte objektivi sepse akuzohet për vrasjen e një anëtari të familjes Lekstakaj në 1997 – thuhet si hakmarrje për vrasjen e vëllait të tij të madh pas një mosmarrëveshjeje për 15 paund karburant që nisi hakmarrjen. Familja Nikulaj mohon se ai ka qenë vrasës.
Haxhia dhe britanikët e tjerë të akuzuar si pjesë e grupit të vëzhgimit – Harriet Bridgeman, 28, Thomas Mithan, 35, dhe Steven Hunt, 50, të gjithë nga Bristol, dhe Harry Simpson, 33, nga jug i Londrës – u kthyen në Britani pas të shtënave, tha prokurori Arben Nika. Ata më pas u arrestuan dhe aktualisht presin vendimin e apelit të tyre kundër ekstradimit në Shqipëri për t’u gjykuar. Ata të gjithë mohojnë përfshirjen në sulm.
Në një deklaratë, familja Adrian Nikulaj mirëpriti seancën e së enjtes si “një hap përpara drejt drejtësisë për Ardianin” por shprehu shqetësim për vonesën në ekstradimin e të tjerëve nga Britania.
Ata shtuan: “Brutaliteti i ekzekutimit të Ardianit me gjashtë plumba nga Ruben Saraiva, i cili tani është dënuar nga drejtësia shqiptare, është një plagë që kurrë nuk do të shërohet – veçanërisht për fëmijët e Ardianit, të cilët po rriten pa ngrohtësinë e babait të tyre”.
“Pavarësisht vendimit të sotëm për Ruben Saraivën, ne vazhdojmë të ndjejmë dhimbje nga fakti që Ardiani i trajtoi të gjithë britanikët që erdhën në hotelin e tij si turistë dhe me respekt të thellë, por në realitet dyshojmë se ata kishin ardhur për të vëzhguar atë në mënyrë që më pas të vritej nga bashkëpunëtori i tyre, Ruben Saraiva.”
Ata shtuan se nuk do të kishte “drejtësi të plotë për Ardianin dhe as paqe për familjen Nikulaj” derisa ata që urdhëruan dhe financuan vrasjen të “identifikohen dhe të sjellin para drejtësisë”.
Jashtë gjykatës, avokati i Sarajvës, Kujtim Cakrani, tha se ai planifikonte të bënte apel.
© Panorama.al














