Pak orë pas arrestimit nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për lejimin e ndërtimeve pa leje dhe mungesën e masave ndaj këtij fenomeni, zbardhet edhe dëshmia para oficerëve e shefit të Komisariatit të Sarandës, Gëzim Bashllari.
Bashkë me zinxhirin komandues, ai akuzohet se ka shpërdoruar detyrën duke mos zbatuar ligjin kundër ndërtimeve pa leje.
Por i marrë në pyetje nga oficerët e AMP-së ai ka befasuar, duke thënë se kishte qenë i zënë me ngjarjen e fundit në Sarandë, vrasjen e ndodhur të pronarit të karburantit.
Ai pohoi se “ka qenë i zënë këtë javë me vrasjen në Sarandë, ndaj nuk ka pasur kohë të merret me ndërtimet pa leje”.
Aksioni i AMP-së në Sarandë dhe arrestimet
Një aksion i zhvilluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në zonën e Sarandës dhe Ksamilit për lidhjet e policisë me raste të ndërtimeve pa leje, ka çuar në arrestimin e shefit të Komisariatit të Policisë Sarandë, Gëzim Bashllari.
Po ashtu, në pranga për shpërdorim detyre kanë rënë edhe një oficer krimesh dhe një specialist i zonës në Sarandë.
Sipas burimeve, në fokus të hetimeve janë efektivë që dyshohet se janë përfshirë ose kanë favorizuar raste të ndërtimeve të paligjshme në këto zona bregdetare.
Po ashtu, priten arrestime dhe masa të tjera procedurale ndaj punonjësve të Komisariatit të Policisë Sarandë, të cilët dyshohet se kanë pasur rol në lejimin apo mosgoditjen e këtyre ndërtimeve.
Dy ditë më parë u arrestuan edhe 8 punonjës ndërtimi që po ngrinin një strukturë pa leje në det, teksa në kërkim u shpall pronarja e objektit në fjalë.
© Panorama.al












