Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lëshuar një tjetër paralajmërim ndaj Iranit, duke bërë të ditur se SHBA planifikojnë sulme të forta ushtarake gjatë mbrëmjes së të hënës dhe ditës së martë.
Në një intervistë me prezantuesin konservator të radios, Hugh Hewitt, Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara “do ta godasin rëndë Iranin të hënën në mbrëmje dhe të martën”, pa dhënë detaje të tjera mbi natyrën apo përmasat e operacioneve të mundshme.
I pyetur për memorandumin e mirëkuptimit (MoU), presidenti amerikan tha se ai kishte qenë një test për besueshmërinë e Teheranit, por sipas tij Irani nuk e respektoi atë.
“Ishte një test për Iranin dhe ata nuk e respektuan”, deklaroi Trump, duke lënë të kuptohet se qëndrimi i palës iraniane ka ndikuar në vendimin për përshkallëzim të mëtejshëm ushtarak.
Deklaratat e Trump vijnë në një periudhë tensioni të lartë mes Uashingtonit dhe Teheranit, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po ndjek me shqetësim zhvillimet dhe pasojat e mundshme për sigurinë në Lindjen e Mesme dhe tregjet ndërkombëtare të energjisë.
© Panorama.al












