Komisioni Evropian ka reaguar pas deklaratave të Presidentit të SHBA, Donald Trump në lidhje me Spanjën, të cilën e cilësoi si një “aleate të tmerrshme” në NATO, duke kërcënuar me ndërprerjen e tregtisë.
Duke folur në një konferencë për shtyp, zëvendës zëdhënësi Olof Gill kujtoi marrëveshjen e nënshkruar vitin që shkoi, duke shtuar se presin nga SHBA që t’i përmbahet angazhimeve të saj.
“Komisioni ka qenë shumë i qartë dhe konsistent në këtë çështje, dhe qasja jonë nuk do të ndryshojë. Siç e kemi thënë edhe më parë, tregtia midis Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara është thellësisht e integruar dhe me përfitime të ndërsjella.
Prandaj, është në interesin tonë të ndërsjellë ta ruajmë këtë marrëdhënie. Në të vërtetë, kjo është më e rëndësishme se kurrë në një kohë përçarjesh globale.
Ju kujtoj se vitin e kaluar nënshkruam një deklaratë të përbashkët me SHBA-në. Ne presim që SHBA-të të përmbushin angazhimet e tyre sipas asaj deklarate të përbashkët, ashtu siç i kemi përmbushur ne tonat.
Dhe së fundmi, e përsëris, Komisioni do të sigurojë gjithmonë që interesat e Bashkimit Evropian dhe të të gjitha shteteve tona anëtare të mbrohen plotësisht. Ne do të vazhdojmë të mbështesim tregtinë transatlantike të qëndrueshme, të parashikueshme dhe reciprokisht të dobishme për të mirën e të gjithëve.”, theksoi ai.
Një koment bëri edhe për atë që tha Trump në lidhje me Groenlandën, ku kërkoi sërish që të bëhet territor i SHBA.
“Groenlanda është një territor autonom në Mbretërinë e Danimarkës. Vendimet për të ardhmen e Groenlandës u takojnë banorëve të Grenlandës dhe danezëve. Integriteti territorial, sovraniteti kombëtar dhe paprekshmëria e kufijve janë parime themelore të së drejtës ndërkombëtare.
Ato janë thelbësore jo vetëm për Bashkimin Evropian, por edhe për kombet në mbarë botën. Ne nuk do të ndalemi së mbrojturi ata, dhe BE-ja qëndron në solidaritet të plotë me Danimarkën dhe popullin e Groenlandës.”, u shpreh zëdhënësi.
© Panorama.al












