Trajneri e pranon Milanin, Rangnik mbetet në pritje

Jun 10, 2026 | 16:22

Oliver Glasner e dëshiron me çdo kusht Milanin dhe përfaqësuesit e tij e kanë ritheksuar këtë edhe gjatë një takimi të ri të zhvilluar dje me drejtuesit kuqezi.

ragnik

Trajneri austriak i ka thënë “po” Milanit dhe madje ka lënë mënjanë edhe një ofertë nga Fejenordi, pasi synimi i tij është të marrë drejtimin e pankinës së klubit kuqezi.

Tashmë mungon vetëm miratimi përfundimtar nga Kardinale, Ibrahimoviç dhe Kalveli, personat që po udhëheqin bisedimet me trajnerë dhe drejtues pas revolucionit të plotë të ndodhur dy javë më parë në strukturat e klubit.

GLASNER– Sipas raportimit të “Corriere dello Sport”, Glasner është plotësisht i bindur për t’u transferuar në Milanelo dhe e konsideron këtë si mundësinë ideale për të drejtuar për herë të parë në karrierën e tij një klub të nivelit më të lartë europian.

Fakti që palët u takuan sërish dje, pas një diskutimi maratonë prej gjashtë orësh të zhvilluar të martën e kaluar, konfirmon se tekniku austriak ka lënë përshtypje shumë pozitive dhe se drejtuesit e Milanit vlerësojnë filozofinë e tij të lojës.

Megjithatë, nëse do të emërohej trajner i Milanit, ish-tekniku i Kristal Palas do të duhej të thyente edhe një traditë jo fort të favorshme për trajnerët e huaj në klubin kuqezi. Shembujt e fundit të Paulo Fonsekas dhe Serxhio Konseiçaos kanë forcuar bindjen se trajnerët e huaj e kanë pasur shumë të vështirë të kenë sukses në Milano.

RANGNIK- Paralelisht me negociatat për Glasnerin, Milani ka vijuar kontaktet edhe me Ralf Rangnik. Klubi kuqezi ka zhvilluar biseda të tjera telefonike me trajnerin gjerman, i cili aktualisht ndodhet në Shtetet e Bashkuara me përfaqësuesen e Austrisë në prag të Kupës së Botës.

Federata Austriake e Futbollit i ka ofruar Rangnikut një rinovim kontrate deri në vitin 2028, por ideja për t’u bërë drejtori i ri teknik i Milanit vazhdon ta tërheqë shumë.

Megjithatë, kushtet e tij për të pranuar këtë detyrë janë tepër të qarta. Ai kërkon liri të plotë veprimi, pa ndërhyrje apo pengesa në punën e tij, mbështetje totale nga pronësia për projektin që synon të ndërtojë dhe të drejtën për të riorganizuar strukturën e klubit duke sjellë njerëzit e tij të besuar.

Nëse Xherri Kardinale do të pranojë këto kërkesa, marrëveshja mes palëve mund të finalizohet pa pengesa. /Panorama Sport/

© Panorama.al

Te lidhura