Të paktën 11 minatorë humbën jetën dhe 7 të tjerë u plagosën pas shembjes së një miniere ari në verilindje të Sudanit, sipas njoftimit zyrtar nga kompania shtetërore e mineraleve SMRC.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e izoluar të Howeid, në minierën Kirs al-Fil, në mes të qyteteve Atbara dhe Haia, të cilat ndodhen nën kontrollin e ushtrisë sudaneze. Kompania nuk ka specifikuar datën e saktë të aksidentit.
Shembja ndodhi në një kontekst të rënduar nga lufta civile dyvjeçare në vend, ku ushtria e gjeneralit Abdel Fattah al-Burhan përballet me forcat paraushtarake të Rapid Support Forces të gjeneralit Mohamed Hamdan Dagalo. Të dyja palët financojnë operacionet e tyre kryesisht përmes nxjerrjes dhe tregtisë së paligjshme të arit.
Sipas burimeve zyrtare dhe OJQ-ve, shumica e arit të Sudanit kalon nëpërmjet Emirateve të Bashkuara Arabe, që janë akuzuar për furnizimin me armë të forcave paraushtarake.
Kushtet e sigurisë në minierat e Sudanit mbeten minimale, ku përdoren shpesh substanca kimike të rrezikshme që ndotin mjedisin përreth.
Sudani ndodhet aktualisht në një krizë të thellë humanitare, me dhjetëra mijëra viktima, 13 milionë të zhvendosur dhe miliona të rrezikuar nga uria.
© Panorama.al












