“Tigri 1” dhe “Tigri 3”, një nga aferat më të mëdha korruptive!”- Denoncimi i Bardhit: Energjia e Tigrave të Belinda Ballukut prodhohet 6 herë më shtrenjtë! SPAK “të ndjek” paranë

May 2, 2026 | 12:12

Deputeti i Partisë Demokratike Gazment Bardhi, ka rikthyer në vëmendje çështjen e kontratave për anijet lundruese të prodhimit të energjisë “Tigri 1” dhe “Tigri 3” në Vlorë, duke e cilësuar atë si një nga aferat më të mëdha korruptive që, sipas tij, prodhojnë energji me çmime 6 herë më shtrenjtë se tregu.

bardhi balluku tigri 1

Bardhi thekson se më shumë se një vit më parë ka dorëzuar në Prokurorinë e Posaçme dokumentacion që, sipas tij, implikon drejtpërdrejt ish.zëvendëskryeministren Belinda Balluku në procedurat e tenderimit dhe zbatimit të projektit.

Sipas Bardhit, në dosjen e dorëzuar në SPAK pretendohet se kushtet e tenderit janë ndërtuar në mënyrë të tillë që të favorizonin një fitues të paracaktuar, si edhe kjo kompani fituese, sipas tij, nuk i zotëronte anijet as në momentin e shpalljes së tenderit dhe as në shpalljen e fituesit.

Po ashtu, ai thekson se energjia e prodhuar nga këto anije, sipas tij, rezulton shumë më e shtrenjtë se çmimi i tregut.

“Një investigim i emisionit “Piranjat” ka sjellë së fundi të dhëna tronditëse: prodhimi i energjisë nga Tigrat është deri 6 herë më i shtrenjtë se tregu. Të dhënat tregojnë se energjia e prodhuar nga anijet lundruese ka një kosto prej 675 €/MWh, ndërsa çmimi i tregut është vetëm 111 €/MWh”, shkruan ai.

Ai i ka bërë thirrje SPAK “të ndjek paranë”, për të zbardhur procedurat dhe zbatimin e projektit.

“Prandaj thirrja ime për SPAK-un është vetëm një: Ndiq paranë. Aty është përgjigjja pse Tigrat e Belindës prodhojnë energji deri 6 herë më të shtrenjtë se tregu”, përfundon deputeti demokrat.

Denoncimi i Gazment Bardhit:

“Ndiq paranë”, energjia e Tigrave të Belindës 6 herë më shtrenjtë.

Më shumë se një vit më parë kam dorëzuar në SPAK dokumentacion zyrtar që implikon drejtpërdrejt Belinda Ballukun në një nga aferat më të mëdha korruptive: anijet lundruese për prodhimin e energjisë “Tigri 1” dhe “Tigri 3” në Vlorë.

Në dosjen e dërguar në SPAK kam argumentuar me prova se:

  1. Vendi nuk ishte në kushtet e emergjencës. Kjo u konfirmua nga vetë Belinda Balluku, kur deklaroi se anijet do të prodhonin energji vetëm 2 vite pas kontratës.
  2. Kushtet e tenderit u krijuan për të favorizuar fituesin dhe se ai ishte i paracaktuar, me një garë fiktive. Kompania kishte njoftuar autoritetet amerikane për marrjen e tenderit përpara shpalljes së fituesit.
  3. Kompania nuk i zotëronte anijet as kur u shpall tenderi, as kur u shpall fituese.
  4. Kostot ishin shumë të larta dhe 80 milionë euro për dy anijet nuk dihet ku shkojnë, pasi kompania është e regjistruar në një parajsë fiskale.
  5. Energjia që do të prodhohej ishte shumë e shtrenjtë.

Nuk e di çfarë po bën SPAK me këtë dosje, që vjedh hapur shqiptarët dhe merr çdo ditë nga paratë publike rreth 100 mijë euro.

Një investigim i emisionit “Piranjat” ka sjellë së fundi të dhëna tronditëse: prodhimi i energjisë nga Tigrat është deri 6 herë më i shtrenjtë se tregu. Të dhënat tregojnë se energjia e prodhuar nga anijet lundruese ka një kosto prej 675 €/MWh, ndërsa çmimi i tregut është vetëm 111 €/MWh.

Diferenca është e jashtëzakonshme. Prandaj SPAK-ut i takon të zbulojë pse u firmos një kontratë e tillë që zhvat miliona euro nga shqiptarët.

“Ndiq paranë” është rruga më e mirë për të zbuluar korrupsionin. Kjo është harta e vërtetë që SPAK-u duhet të ndjekë për të shkuar tek burimi i kësaj historie.

Prandaj thirrja ime për SPAK-un është vetëm një:

Ndiq paranë. Aty është përgjigjja pse Tigrat e Belindës prodhojnë energji deri 6 herë më të shtrenjtë se tregu.

© Panorama.al

Te lidhura