YLBER LILI
Andej nga FYROM pati sërish zgjedhje! Nuk është fjala për beteja elektorale gjithëpërfshirëse në planin lokal apo në rrafshin republikan, por për një vend bosh në krye të një komune që quhet Saraj, e banuar tërësisht me shqiptarë. Nuk pati shumë zhurmë (rrëmujë e potere), as “vigjilencë mediatike”. Mbi të gjitha, as debate në funksion të platformave, programeve, alternativave, ideve e vizioneve. Megjithatë, zgjedhjet u mbajtën, natyrisht përfunduan sapo ra gongu i parashikuar në ligj (e vetmja gjë që ia vlen të vlerësohet).
Kandidati që përfaqësonte ngjyrat e partisë “integruese”, ose më saktë, siç është shprehur njëherë e një kohë lideri i saj, Ahmeti, “ne jemi parti tematike”, doli fitues me një avantazh të theksuar, ndonëse i kontestuar nga rivali i tij i PDSH-së, që sipas zyrtarëve të saj, pati manipulime.
Për hir të së vërtetës, certifikimi i rezultateve nuk duhet marrë si befasi, por, nga ana tjetër, duhet theksuar se në FYROM, dhe jo vetëm, ndodhin çudira dhe paradokse. Me një mal mëkatesh mbi kurriz, me një mijë e një dështime në aspektin shumëdimensional, një ditë të bukur gdhihesh i votuar!
Nëse i përmbahemi fjalës se votohet partia-lideri dhe jo individi, në rastin konkret nuk bëhet fjalë për asnjërin nga kandidatët, ndoshta fituesi i këtyre zgjedhjeve e meriton dhe komuniteti e ka vlerësuar, por mendoj se në shtetet dhe shoqëritë gati parademokratike, vota nuk kanalizohet te individi, pra te cilësitë, virtytet, aftësitë profesionale e kështu me radhë. Sikundër nuk mendoj se votuesi ka arritur pjekurinë maksimale për ta orientuar votën te programi, platforma apo vizioni; fundja ato, në thelb, mungojnë. Për rrjedhojë, edhe në këtë rast, votat janë meritë e partisë, thënë më saktë, të liderit! “Votoni X sepse më keni votuar mua”. Kështu i drejtohet elektoratit lideri që ka një vetëbesim, a thua se është Zot!
E solla këtë eveniment jo për t’u marrë gjerë e gjatë me zgjedhjet për kreun e një komune, por për të risjellë në mendje se si qeveriset një vend nga qeveritarë mëkatarë dhe sesi shpërblehen pikërisht mëkatet.
Siç dihet, maxhoranca qeverisëse, të paktën formalisht, përbëhet nga një parti maqedonase me ca satelitë nëpër këmbë dhe një parti shqiptare që kur ia do puna (gjakimi për pushtet), bën krushqi edhe me djallin. Më konkretisht, FYROM drejtohet e komandohet nga Nikolla Gruevski dhe brenda oborrit të tij pa tagrin e komanduesit dhe kontrolluesit është edhe BDI-ja e drejtuar nga Ali Ahmeti.
Dikur ata ishin “armiq” të përbetuar, ndërsa sot ata hanë në një çanak, pavarësisht se njëri i ka të gjitha aksionet qeverisëse dhe tjetri mjaftohet me thërrime… E megjithatë, ndryshe nga dy etnitetet që realisht bëjnë jetë paralele, ata vazhdojnë të bashkëjetojnë në qeverisje, pavarësisht faktit që elektoratit të tyre nuk i kanë ofruar pothuajse asgjë.
Bie fjala, Nikolla Gruevski gjatë dy mandateve nuk ka asnjë tregues cilësor dhe të qenësishëm në aspektin e reformave, të nxitjes së investimeve të huaja, të ngritjes se nivelit ekonomik apo të një politike, e cila do të ishte në përputhje me relaksimin e marrëdhënieve ndëretnike. Madje, sa më shumë e zhyt vendin në izolim, në rrënim ekonomik, apo sa më shumë investon politikisht në thellimin e marrëdhënieve ndëretnike, aq më shumë votohet!
Me stilin e një boksieri amator dhe të një ekonomisti mediokër, ai vazhdon të sundojë me dorë të hekurt ndaj shqiptarëve, sillet me një lloj indiference ndaj ndërkombëtarëve dhe hiqet si Zeus ndaj të tijve (maqedonasve).
Gruevski, si politikan tinëzar e hileqar, ndoshta vazhdon të besojë se duke aktruar rolin e patriotit, duke improvizuar skena në thelb qesharake si kalorës i mbrojtjes së identitetit maqedonas, mund të konsiderohet si Zeus, apo siç ia ka ënda të hyjë në histori! Ç’është e vërteta, tri raunde zgjedhore dhe tri herë radhazi sundimtar i pushtetit dhe i shtetit nuk është pak. Ai vazhdon të sundojë një vend të izoluar totalisht nga bota e qytetëruar, një shoqëri multietnike ku varfëria u ka prekur ashtin, një shtet që tundet si kullë prej letre.
Gruevski vazhdon të votohet, paçka se e ka lënë vendin në mëshirë të fatit, jashtë dyerve të NATO-s dhe të BE-së, paçka se zgjatimi i duarve të krimit dhe korrupsionit ka prekur majën e piramidës së shtetit. Kësaj i thonë të shpërblehesh për mëkatet… Pothuajse në të njëjtën situatë është edhe lideri i BDI-së, Ahmeti! Ai vazhdon të votohet, ndërkohë që shqiptarët janë më të ligsht ekonomikisht se kurrë më parë, janë më me pak dinjitet dhe aspak të pushtetshëm, sikurse të diskriminuar dhe të poshtëruar. Sërish ai votohet…. Rasti është i freskët, zgjedhjet në komunën e Sarajt. Siç duket, Gruevski dhe Ahmeti po shijojnë shpërblimet! Sa më shumë hapin gropa dështimesh, aq më shumë mbushen shportat me vota në adresë të tyre. Nëse e marrim si të mirëqenë paradigmën që nuk është gjithaq politika që manipulon opinionin, por edhe pikërisht opinioni publik që vetë manipulohet, ata sërish do të votohen. Sidoqoftë, është marrëzi!











