Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë shumë afër një marrëveshjeje të dobishme në bisedimet e tyre tregtare, deklaroi sot Komisioneri i Tregtisë së BE-së, Maros Sefcovic.
“Ndjesia jonë është se jemi shumë pranë një marrëveshjeje,” tha Sefcovic para takimit të ministrave të tregtisë së BE-së në Bruksel, duke paralajmëruar se tarifat prej 30% që SHBA kërcënon të vendosë ndaj BE-së do të dëmtonin ndjeshëm tregtinë ndërmjet palëve.
Ai shtoi se “një zgjidhje e negociuar është shumë më e mirë se tensionet” dhe theksoi se tarifat e njëanshme dhe të pajustifikuara nuk mund të vazhdojnë pafundësisht.
“Nëse është e nevojshme, BE do të ndërmarrë kundërmasa të mirëmenduara dhe proporcionale për të rivendosur ekuilibrin,” paralajmëroi Sefcovic.
Komisioneri njoftoi se do të vazhdojë bisedimet me homologët amerikanë për të arritur një marrëveshje para afatit të 1 gushtit, kur presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar vendosjen e tarifave 30% mbi importet evropiane.
Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, BE do të diskutojë hapat e ardhshëm, duke përfshirë unitetin e brendshëm, masat balancuese, bashkëpunimin me partnerët me interesa të ngjashme, si dhe diversifikimin e tregtisë.
Një tjetër lajm pozitiv për BE-në është marrëveshja e paralajmëruar me Indonezinë, një nga ekonomitë më të mëdha në Azi, që do të forcojë marrëdhëniet tregtare dhe investimet në këtë rajon me potencial të lartë rritjeje.
Ndërkaq, kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi përsëri se BE dëshiron një zgjidhje të negociuar me SHBA-në dhe do të vazhdojë të mbajë në fuqi moratoriumin mbi kundërmasat deri në fillim të gushtit.
© Panorama.al












