Gjate takimit te djeshem te Komitetit te Asocim-Stabilizimit
Ndonëse maxhoranca dhe opozita kishin rënë dakord për deklaratën e përbashkët, tri orët e mbledhjes së Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit BE-Shqipëri nuk kaluan pa debate. Replikave të përfaqësuesve të PD-së dhe atyre të PS-së, të cilat nuk kanë munguar në çdo moment, dje i janë bashkuar edhe ato mes eurodeputetëve dhe anëtarëve demokratë në këtë Komitet. Replikat
Debati i parë 60 minuta pasi kishte filluar mbledhja u bë mes eurodeputetit rumun Viktor Boshtinaru dhe deputetit të Partisë Demokratike, Jemin Gjana. Deputeti i Parlamentit Europian është i njohur në vend për deklaratat e tij ekstreme ndaj Shqipërisë, veçanërisht për rivendosjen e vizave, çka provokoi edhe një debat të hapur mes tij dhe kryeparlamentares Topalli. Në mbledhjen e djeshme ai iu kthye sërish debatit mes dy forcave politike. “Pyetja ime është: pse kaq shumë kohë për të arritur në këtë pikë? Përse Shqipëria ka humbur më tepër se dy vjet? Në qoftë se do të shikojmë rezultatet e sotme, duket sikur Komisioni do ta vonojë procesin e zgjerimit nga marsi. Por, nga ana tjetër, në qoftë se do të dëgjojmë rezultatet e parashikueshme për Shqipërinë, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë rezultate më të mira se sa ju”, u shpreh Boshtinaru. Gjithashtu ai kritikoi indirekt Kryeministrin Berisha lidhur me rolin e Presidentit Topi, kryeprokurores Rama dhe kreut të SHISH-it, Bahri Shaqiri në ngjarjet e 21 janarit. “Funksionimi i institucioneve demokratike cenohet nëse dikush që ka funksion të lartë thotë që prokurori i Përgjithshëm, Presidenti i Republikës, Kreu i SHISH-it, janë të përfshirë në një grusht shteti. Pra, ky informacion është zyrtar, kështu që më duhet t’ju them që gjëra të tilla të mendohen mirë. Në qoftë se dikush flet për një grusht shteti dhe akuzon, i takon që kjo situatë të qartësohet. Pra mendoj që kjo gjë është shumë e rëndësishme”, thekoi më tej eurodeputeti rumun.
I menjëhershëm ishte reagimi i deputetit të PD-së, Jemin Gjana, i cili tha: “Së pari, pse kaq vonë? Unë besoj e keni dhe ju fjalën e urtë, ‘më mirë vonë, sesa kurrë’ zoti Boshtinaru. Por, më tepër se kaq, dua të them se unë nuk besoj se kjo pyetje e juaja është për ta futur këtë tryezë edhe njëherë në ato debate që ne kemi bërë në tri takimet e para për të shpjeguar se cila palë ka përgjegjësi që erdhëm vonë deri këtu. E vetmja gjë që dua të them është se koha kur shqiptarët kanë pasur armiqësi me fqinjët janë kohë të largëta për Europën dhe shqiptarët. Me rumunët nuk kemi pasur kurrë ndonjëherë armiqësi”. Në debat ndërhyri edhe deputeti Ditmir Bushati, sipas të cilit, “nuk e ka luksin Shqipëria të bëjë cinizma apo të bëjë ironi me një vend anëtar të BE-së”. Gjatë takimit, deputetja socialiste, Valentina Leskaj, kritikoi qëndrimin e Kryeministrit Berisha, i cili akuzoi në një mbledhje të PPE-së opozitën për dështimin në marrjen e statusit. “Klima e ditëve të fundit, ku Kryeministrit po përpiqet t’ia faturojë opozitës mungesën e integrimit, është joproduktive. Është rast unik që qeveria t’i kërkojë përgjegjësitë e dështimit me integrimin tek opozita”, tha Leskaj. Ndërsa ministrja Bregu u shpreh se “fakti që opozita më në fund shpreh vullnetin për bashkëpunim, krijon kushtet për përmbushjen e prioriteteve politike brenda një harku kohor të shkurtër. Në mbyllje, më lejoni të nënvizoj se ne, si qeveri, jemi plotësisht të vendosur që të hartojmë dhe të zbatojmë të gjitha nismat që kanë për synim ta afrojnë vendin me BE-në, dhe kemi shpresë që edhe opozita do të punojë me ne për përmbushjen e objektivit madhor, anëtarësimit në BE”.
Debati në takimin Shqipëri-PE
Majlinda Bregu(Ministre e Integrimit): Përsa u përket prioriteteve kyçe (1-5), që kanë natyrë kryesisht politike, i përmenda në fillim të fjalës sime hapat konsensualë pozitivë të ndërmarrë nga forcat politike shqiptare. Fakti që opozita më në fund shpreh vullnetin për bashkëpunim, krijon kushtet për përmbushjen e prioriteteve politike brenda një harku kohor të shkurtër. Etore Sekui (Ambasador i KE): Përsa i përket debatit, më lejoni të shfaq pikëpamjet e mia. Një ndër zhvillimet më pozitive është arritja e një lloj kompromisi mes palëve, pasi dialogu do të çojë drejt procesit të integrimit të Shqipërisë. Valentina Leskaj (PS): Parlamenti duhet të funksionojë sipas parimeve demokratike. Modeli i Rregullores së Parlamentit Europian është parim për ne, por s’mund të jetë e njëjtë rregullorja e një vendi me rregulloren e 27 vendeve. Klima e ditëve të fundit, ku Kryeministrit po përpiqet t’ia faturojë opozitës mungesën e integrimit, është joproduktive. Është rast unik që qeveria t’i kërkojë përgjegjësitë e dështimit me integrimin tek opozita. Viktor Boshtinaru (PE): Pyetja ime është: pse kaq shumë kohë për të arritur në këtë pikë? Përse Shqipëria ka humbur me tepër se dy vjet? Në qoftë se do të shikojmë rezultatet e sotme, duket sikur Komisioni do ta vonojë procesin e zgjerimit nga marsi. Por, nga ana tjetër, në qoftë se do të dëgjojmë rezultatet e parashikueshme për Shqipërinë, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë rezultate më të mira se sa ju. Funksionimi i institucioneve demokratike cenohet nëse dikush që ka funksion të lartë thotë që prokurori i Përgjithshëm, Presidenti i Republikës, kreu i SHISH janë të përfshirë në një grusht shteti. Pra, ky informacion është zyrtar, kështu që më duhet t’ju them që gjëra të tilla të mendohen mirë. Në qoftë se dikush flet për një grusht shteti dhe akuzon, i takon që kjo situatë të qartësohet. Jemin Gjana (PD): Meqë zoti Boshtinaru shtroi disa pyetje, ia vlen të japim përgjigje të shkurtuara. Së pari, pse kaq vonë? Unë besoj e keni dhe ju fjalën e urtë “më mirë vonë, sesa kurrë”, zoti Boshtinaru. Por, më tepër se kaq dua të them se unë nuk besoj se kjo pyetje e juaja është për ta futur këtë tryezë edhe njëherë në ato debate që ne kemi bërë në tri takimet e para për të shpjeguar se cila palë ka përgjegjësi që erdhëm vonë deri këtu. Me pyetjen tuaj doni ta nxisni prapë që të rikthehemi në modelin dhe debatet e takimeve të shkuara, është e drejta juaj. Unë e konsideroj jokorrekte. A do të jetë i qëndrueshëm procesi? Ju dëgjuat deklarimin e bashkëkryetares së opozitës e maxhorancës dhe ne jemi të vendosur përpara të vazhdojë procesi. Më e pakta është që askush nga ne dhe as ju nuk keni të drejtë ta paragjykoni. E vetmja gjë që dua të them është se koha kur shqiptarët kanë pasur armiqësi me fqinjët janë kohë të largëta për Europën dhe shqiptarët. Me rumunët nuk kemi pasur kurrë ndonjëherë armiqësi. Ditmir Bushati(PS): Më vjen keq që dëgjoj paragjykime që u adresohen gabimisht vendeve anëtare të BE-së, kur përmendet edhe raporti ynë me Rumaninë. Ndërkohë që raporti ynë me Rumaninë është një raport miqësor, shumë studentë studiojnë apo kanë studiuar, shumë shqiptarë kanë lidhje familjare me Rumaninë dhe të tjera si këto, dhe është e gabuar që konsideratat personale që mund të jenë ndaj një eurodeputeti, qoftë ky Viktor Boshtinaru, të kthehen në qëndrime ndaj një vendi anëtar të BE-së, me 23 milionë banorë, me një peshë në Europën Juglindore. Nuk e ka luksin Shqipëria të bëjë cinizma apo të bëjë ironi me një vend anëtar të BE-së. Sajmir Tahiri(PS): Sa i përket Gjyqësorit, edhe ai është larg të qenit tërësisht i pavarur dhe eficient në punën e tij. Dje, në Ditën e Demokracisë, një protestë e të rinjve të PS u dhunua barbarisht nga gangsterë të veshur me pushtet, të armatosur dhe që nuk pyesnin as për policinë, as për ligj, jo më pastaj për moral e etikë. Kjo është klima me të cilën sot përballet çdo qytetar, ku pushteti ka degraduar dhe do t’i zgjidhë çështjet e veta me gangsterë dhe të fortë. Viktor Gumi (PD): Besoj që ne nuk zgjidhim gjë nëse këtë mbledhje e konsiderojmë si një instancë apelimi për çdo problem që mund të kemi apo diskutim e këndvështrim personal. Nisur nga diskutimi i parë që përmendi vjedhje elektorale: këtë fjalë unë nuk e gjej as në raportet e BE-së, as në raportet e OSBE/ODIHR-it apo të dhjetëra institucioneve të tjera që kanë diskutuar këtë gjë. E kuptoj që ne mund të ndajmë çështje personale tërësisht të ndryshme, por ky nuk është forum për të manifestuar çështje personale.
Eurodeputetja: Situata është kritike Fajon: Marrëveshja për vizat, në rrezik
Tanja fajon
Eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon, e pranishme në takimin e djeshëm në Tiranë, tha se marrëveshja e heqjes së vizave mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian është në rrezik. “Shpresoj që sot liderët në Bruksel, pavarësisht krizës, të dërgojnë mesazhe të mira për Shqipërinë. Jemi duke diskutuar çdo ditë mekanizmin e ri, të propozuar nga PE për pezullimin e përkohshëm të vizave. Shumë gjëra janë në rrezik, si marrëveshja ‘Shengen’ dhe mbështetja për regjimin e vizave në vendet e treta. Situata është kritike, që kërkon angazhim nga ana jonë, gjithashtu që vendet e Ballkanit Perëndimor të mos pengohen të udhëtojnë në BE. Do të ishte katastrofë për qytetarët shqiptarë nëse vendi futet sërish në listën e zezë, apo i pezullohet liberalizimi. Mora garanci nga autoritetet tuaja se Shqipëria ka dhe do të ketë performancën më të mirë në Ballkanin Perëndimor, në zbatimin e kushteve të liberalizmit”, u shpreh Fajon. Sipas eurodeputetes, kërkesat për zgjerim kërkojnë rritjen e standardeve dhe punës që duhet të bëjnë shtetet që kërkojnë të bëhen pjesë e familjes europiane. “Zgjerimi po bëhet i ndërlikuar. Kërkesat janë shumë të larta. Krimi dhe lufta kundër korrupsionit, kemi vendosur masa të reja. Kapitujt 23 dhe 24, që përfshijnë Gjyqësorin, qytetarët, lirinë e shprehjes, do të shihen me vëmendje”.