Drejtori sportiv Maks Eberl (51) është në kërkim të një anësori të ri dhe tashmë i ka dërguar Liverpulit një ofertë prej 52 milionë euro për Luis Diazin (28). Por kampionët e Anglisë nuk janë të gatshëm të lënë yllin e tyre të largohet. Tani, Leandro Trosard i Arsenalit është në radarin e skuadrës së Bajernit. Sipas BILD, ylli belg është një opsion i dytë nëse marrëveshja për Diazin dështon.

Trajneri i Bajernit, Vinsent Kompani, duhet ta njohë mirë Trosard nga koha e tyre me kombëtaren belge (ata nuk kanë luajtur në një ndeshje së bashku, por kanë qenë në kampet stërvitore), si dhe nga periudha e Kompani si trajner i Bërnli në Premier Ligë. Trosard u transferua nga Brajton tek Arsenali në vitin 2023 për 27.5 milionë euro. “Topçinjtë” duan të zgjasin kontratën e Trosard, por duke pasur parasysh interesimin e Bajernit dhe nevojën për të financuar afrime të reja, ata nuk do të kundërshtonin një ofertë të favorshme për belgun.
Trosard gjithashtu ndryshoi agjentin e tij në korrik dhe tani këshillohet nga gjermani Dirk Hebel. Interesante është të theksohet se Eberl dhe Hebel kanë bashkëpunuar më parë me sukses. Shitja e klientit të Hebel, Marko Rojs, nga Gladbah te Dortmund për rreth 17 milionë euro në vitin 2012, ishte një nga marrëveshjet më të mëdha nën drejtimin e Eberl. “Topçinjtë” shpresojnë që Bajern të kthejë vëmendjen nga Trosard, pasi shitja e tij raportohet të jetë thelbsore për planet e Andrea Berta-s për të sjellë përforcime të tjera në repartin ofensiv të skuadrës.
Arsenali dëshiron të firmosë me Ebereçi Eze, por thuhet se shitjet e lojtarëve si Trosard dhe Fabio Vieira janë kyç për realizimin e kësaj marrëveshjeje. Trosard ka një rekord më të mirë në Premier Ligë se sa Luis Diaz dhe ka treguar aftësinë e tij për të bërë diferencën në momentet e mëdha.
Trossard numëron 46 gola dhe 35 asiste në karrierën e tij në Premier Ligë. Megjithatë, Diaz është pak më i ri se belgu dhe Bajern mund ta shohë anësorin e Liverpulit si një investim më afatgjatë për skuadrën e tyre. Pas largimeve të Leroj Sane (29), Matis Tel (20) dhe Tomas Myler (35), Bajerni ka urgjentisht nevojë për përforcime në sulm. Trosard mund të jetë blerja e ardhshme e madhe.
KLAJDI BAJO-PANORAMASPORT.AL
© Panorama.al











