Këshilli i Ministrave në Spanjë, nën drejtimin e kryeministrit Pedro Sánchez, ka miratuar një projektligj që synon kontrollin e deepfake-ve dhe vendosjen e rregullave më të rrepta për dhënien e pëlqimit në përdorimin e fotografive, në një kohë kur shtetet evropiane po ndërmarrin hapa për masa më të forta kundër përmbajtjes seksuale të krijuar përmes Inteligjencës Artificiale.
Projektligji i miratuar forcon mbrojtjen e fëmijëve, duke përcaktuar moshën 16 vjeç si kufirin minimal për dhënien e pëlqimit për përdorimin e imazhit të një personi. Ai gjithashtu kufizon ripërdorimin e fotografive të publikuara në internet, si dhe përdorimin e zërave apo pamjeve të krijuara me Inteligjencë Artificiale pa autorizim.
Bashkimi Evropian po intensifikon përpjekjet për të frenuar deepfake-t, përmes zbatimit të rregullave të reja që kërkojnë nga shtetet anëtare kriminalizimin e përmbajtjeve seksuale deepfake pa pëlqim deri në vitin 2027.
“Fakti që njerëzit ndajnë foto personale apo familjare në rrjetet sociale nuk u jep të tjerëve liri të plotë për t’i përdorur ato në përmbajtje të tjera”, theksoi ministri i Drejtësisë, Félix Bolaños.
Projektligji synon gjithashtu të adresojë drejtpërdrejt përdorimin e Inteligjencës Artificiale, duke e konsideruar të paligjshëm përdorimin e imazhit ose zërit të një personi të krijuar përmes IA-së pa pëlqim, për qëllime reklamuese apo tregtare.
Bolaños sqaroi se përdorimet krijuese, satirike ose imagjinare që përfshijnë figura publike do të lejohen, për sa kohë që kjo lloj përmbajtjeje shënohet qartë se është zhvilluar me Inteligjencë Artificiale.
Projektligji vjen në vazhdën e kontrollit të rreptë ndaj mjeteve të Inteligjencës Artificiale, përfshirë edhe chatbot-in IA Grok të Elon Musk, i cili ndodhet në qendër të një hetimi për imazhe deepfake me përmbajtje seksuale eksplicite.
Më herët gjatë këtij muaji, qeveria i kërkoi autoriteteve të prokurorisë të vlerësojnë nëse disa përmbajtje të krijuara me Inteligjencë Artificiale mund të përbëjnë pornografi me fëmijë, një kërkesë që, sipas Reuters, po shqyrtohet nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm.
Projektligji do t’i nënshtrohet një procesi konsultimesh përpara se t’i rikthehet qeverisë për miratimin përfundimtar dhe më pas të paraqitet për votim në parlament.
© Panorama.al












