SPAK i sekuestroi vilën luksoze në Dhërmi, Belinda Balluku e fshehu në emër të Igli Tares

Jun 4, 2026 | 14:46

Vilën luksoze që iu sekuestrua me urdhër të SPAK, ish zëvendës kryeministrja dhe ish ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e kishte fshehur në emër të ish futbollistit të Kombëtares shqiptare, Igli Tare.

balluku igli tare

Tare u mor gjithashtu në pyetje nga Prokuroria e Posaçme, ndërsa mësohet se i është komunikuar edhe akuza e pastrimit të parave.

Sipas organit te akuzës, për të fshehur pronësinë reale të vilës, Balluku ka përdorur Taren dhe vartësen e saj në kohën kur drejtonte Albcontrol sh.a., shtetasen J.B, përmes kontratave të porosisë dhe qirasë të konsideruara fiktive nga hetuesit.

“Për të fshehur këtë pasuri si produkt të veprës penale, shtetasja Belinda Balluku ka përdorur shtetasin I.T dhe vartësen e saj në Albcontrol sh.a., shtetasen J.B. Kështu, rezulton se shtetasja Belinda Balluku ka kryer veprimin fiktiv të kontratës së porosisë nr. 1059 rep., nr. 650 kol., datë 5.12.2018, të lidhur mes shtetasit I.T dhe pronarit të shoqërisë “Eurocol” sh.p.k., shtetasit P.C. Veprimet e kundërligjshme në formën e pastrimit të produkteve të veprës penale kanë vijuar nga shtetasit Belinda Balluku, I.T dhe J.B, duke kryer veprimin tjetër fiktiv, atë të kontratës së qirasë (kontratë dore), datë 25.5.2022, dhe amendamentin e kësaj kontrate, datë 26.4.2024.”, thuhet në njoftimin e SPAK.

SPAK tha në njoftimin zyrtar se ish zv kryeministrja, e marrë zyrtarisht e pandehur për shkelje të barazisë në tendera, pas hetimeve të reja, dyshohet edhe për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Sipas SPAK, pasuria lidhet me një përfitim të parregullt prej 145 mijë eurosh, që dyshohet se është marrë në këmbim të favorizimit të kompanisë “Eurocol” sh.p.k. në tenderin për rikonstruksionin e godinës teknologjike të Albcontrol, me fond limit 88.6 milionë lekë dhe një shtesë kontrate prej 14.1 milionë lekësh.

Hetimet kanë zbuluar se, në kohën kur drejtonte Albcontrol, Balluku dyshohet se ka bashkëpunuar me Evis Berberin si shef i Sektorit të Prokurimeve dhe 3 anëtarë për të vendosur kritere që favorizonin kompaninë fituese “Eurocol”.

Sipas SPAK, favorizimi ka vijuar edhe pas shpalljes së fituesit, përmes një parapagimi prej 50% të kontratës dhe gjatë zbatimit të saj. Ky përfitim prej 145 mijë eurosh është marrë në formën e pasurisë së paluajtshme, konkretisht vilën e ndërtuar nga kompania Eurocol.

© Panorama.al

Te lidhura