Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend kërkesën për ngritjen e një Komisioni Hetimor në lidhje me skandalin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), dhe hetimeve të SPAK, ku të pandehurit e kësaj dosjeje akuzohen se kanë vepruar si një grup i strukturuar kriminal me pengmarrje dhe manipulim tenderash.
Përmes ngritjes së Komisionit Hetimor, PD kërkon vlerësimin e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes së të dhënave të qytetarëve, si dhe për analizimin e rreziqeve për sigurinë kombëtare dhe detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s.
Në kërkesën drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, PD evidenton akuzat e ngritua nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) ndaj ish drejtueses së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, zëvendëses Hava Delibashi, dy biznesmenëve Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri si dhe zyrtari të policisë, Erion Ismaili, për të cilët Prokuroria ka ngritur akuzat e heqjes së paligjshme të lirisë, shkeljes së barazisë në tendera, pastrim parash si edhe grup i strukturuar kriminal.
Duke përmendur disa raste, PD thekson se Parlamenti duhet të veprojë brenda juridiksionit të vet sepse qytetarët janë ekspozuar në mënyrë të përsëritur nëpërmjet rrjedhjes së të dhënave, infrastruktura kritike shtetërore është aksesuar nga kompani private me interesa kriminale si edhe fakti që Shqipëria është një pikë potenciale cenueshmërie në arkitekturën e sigurisë së NATO-s.
“Kërkesa për ngritjen nga Kuvendi të një komisioni hetimor, përmbush tri kriteret kushtetuese si vijon: (i) çështja ka të bëjë me funksionin ligjvënës dhe funksione të tjera për të cilat Kuvendi është i autorizuar të marrë masa ligjore; (ii) objekti i hetimit fokusohet në një çështje konkrete; dhe (iii) ekzistojnë të dhëna dhe indicie të mjaftueshme që dëshmojnë për ekzistencëne problematikave dhe dyshimeve të arsyeshme lidhur me ligjshmërinë e veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve dhe zyrtarëve shqiptarë në funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), në administrimin e procedurave të prokurimit publik, në garantimin e sigurisë kibernetike, në mbrojtjen e të dhënave të qytetarëve, si dhe në administrimin e infrastrukturës digjitale kritike të shtetit.”, thuhet në kërkesë.
Komisioni duhet të vlerësojë sigurinë kibernetike dhe të të dhënave të qytetarëve, si edhe të analizojë rreziqet për sigurinë kombëtare.
© Panorama.al












