Simbolikat e protestës dhe arkivoli në shesh, analisti Ergys Mërtiri: Nuk është dhunë! Akuzat? Pretekste për të goditur zgjimin e qytetarisë! Tubimi i zbuloi fytyrën e shumë njerëzve

Jul 7, 2026 | 12:59

Analisti Ergys Mërtiri ka reaguar pas debatit të krijuar rreth protestës së fundit me pjesëmarrjen e diasporës, duke deklaruar se një nga arritjet kryesore të saj ishte se “zbuloi fytyrën e shumë njerëzve” që, sipas tij, nuk e duan ndryshimin në Shqipëri.

ergys mertiri proteste

Sipas Mërtirit, kritikat për praninë e një arkivoli simbolik në protestë janë të ekzagjeruara dhe përdoren si pretekst për të goditur lëvizjen qytetare.

Ai thekson se protesta ka qenë ndër më paqësoret e zhvilluara ndonjëherë në vend, ndërsa shton se arkivoli nuk përbën dhunë reale, por mund të interpretohet si simbol i “vdekjes së sistemit”.

Nga ERGYS MERTIRI

Një nga arritjet e kësaj proteste është se zbuloi fytyrën e shumë njerëzve.

Të gjithë ata që nuk e duan ndryshimin e këtij vendi janë sot kundër saj, qoftë drejtpërdrejtë, qoftë tërthorazi, duke bërë si kritikë dashamirës. Ata mezi presin që të ndodhë diçka jo e mirë, për të ngritur menjëherë një alarm apo pakënaqësi, në mënyrë që ti mërzisin njerëzit prej saj.

Më e fundit ishte arkivoli. Një mori komentuesisht shpërthyen duke thënë se prania e arkivolit në protestë i dha fund fazës paqësore, duke e lënë protestën në duart e forcave destruktive. Arkivoli, si simbol i vdekjes e shpie protestën drejt një fytyre të re, që është fytyra e dhunës.

Pyetja është, kur u bën shqiptarët kaq pacifistë e kaq të ndjeshëm ndaj dhunës, sa i shqetëson kaq shumë edhe kur ajo është imagjinare e simbolike?

Deri tani, kjo ka qenë protesta më paqësore që është bërë ndonjëherë. Ka pasur vetëm raste sporadike që mund të kenë qenë edhe të infiltruara nga dikush, por edhe reagim spontan i individëve tek-tuk, duke qenë nën dhunën e policisë, ndërkohë që edhe këto raste janë penguar përgjithësisht nga vetë protestuesit.

Cinizmi bëhet therës kur kujton se këta që kanë parë amrë e të vrarë nëpër sheshe në këto 35 vjet, që kanë parë djegie institucionesh e momente të rënies së shtetit, sot shqetësohen për dhunë simbolike, siç është rasti i arkivolit, apo goditja me vezë. Vetë Edi Rama që organizoi 21 janarin, që i dërgoi njerëzit të vriteshin në bulevard, që dogji makina e goditi me makinë kryeministrinë, që goditi me hunj e gurë policë e gardistë, sot ankohet për dhunën e vezëve!

Sigurisht, mua nuk më pëlqen prania e arkivolit që i fut shije tribalizmi berishist qytetarisë së asaj proteste. Mundet vërtetë që ai të jetë sjellë aty prej ndjekësve të Berishës, të cilët e kanë të vështirë të qendrojnë pa e ekspozuar provincializmin e tyre agresiv në një mjedis kaq qytetar sa ai bulevard. Por protesta është e popullit dhe populli është gjithëfarësh. Nuk mund të pretendojmë që në një grumbullim aq të madh popullor të ketë selektivitet kaq të ndjeshëm, vetëkontroll kaq të thellë dhe estetikë perfekte në çdo qelizë të saj. Në tërësi kjo protestë ka qenë fantastike dhe ata që kapen pas detajesh janë thjesht maskarenj.

Nga ana tjetër, arkivoli, ndonëse një pamje e shëmtuar, nuk është dhunë reale. Dhuna simbolike, nuk është dhunë. Por ne mund ta interpretojmë arkivolin edhe si simbol të vdekjes së sistemit. Përse u dashka që interpretimi të shkojë se s’bën tek variant më ekstrem?

Të gjitha këto janë thjesht pretekste për të goditur zgjimin e qytetarisë në këtë vend. Ata thjesht nuk e duan protestën dhe qytetarinë prandaj i gjejnë bishta reagimit qytetar. Ata nuk duan që shoqëria të zgjohet e të ndëshkojë ata që na keq-qeverisin.
Ata nuk e duan protestën sepse ajo kërkon të rrëzojë sistemin e tyre. Nuk e duan sepse ajo premton një Shqipëri tjetër, një Shqipëri që nuk i përket më atyre. Prandaj dhe i turren asaj me lloj-lloj sulmesh dhe akuzash, ose me kritika banale nën vellon e dashamirësisë hipokrite.

© Panorama.al

Te lidhura