Siguria në ndërtime dhe reforma e inspektimit teknik në Shqipëri, kryeinspektor Sula: Fokus mbrojtja e qytetarëve!

Jun 10, 2026 | 17:07

Në tryezën shumëpalëshe me temë “Siguria në Ndërtime dhe Reforma e Inspektimit Teknik në Shqipëri”, Kryeinspektori Dashnor Sula theksoi se siguria në ndërtime është një përgjegjësi e përbashkët që kërkon bashkëpunim mes institucioneve, profesionistëve, universiteteve dhe biznesit.

dash sula

Gjatë fjalës së tij, Sula nënvizoi se fokusi kryesor i çdo reforme në këtë sektor duhet të jetë mbrojtja e jetës dhe sigurisë së qytetarëve, duke kujtuar se ndërtesat janë hapësira ku njerëzit jetojnë, punojnë, mësojnë dhe marrin shërbime çdo ditë.

Ai theksoi se sfidat e reja, si tërmetet, zjarret, përmbytjet, temperaturat ekstreme dhe ndikimet e ndryshimeve klimatike, kërkojnë një qasje të re në planifikimin, ndërtimin dhe inspektimin e objekteve. Sipas tij, siguria nuk përfundon me kolaudimin e një ndërtese, por duhet të garantohet gjatë gjithë ciklit të saj të jetës.

Kryeinspektori vuri në dukje se çdo hallkë e dobët në procesin e ndërtimit nga materialet e papërshtatshme deri te instalimet e pakontrolluara apo mosmarrja në konsideratë e riskut sizmik mund të krijojë rreziqe serioze për sigurinë publike.

Duke folur për reformën e inspektimeve, Sula e cilësoi atë si një ndryshim filozofie, që synon kalimin nga inspektimi i vonuar te ai parandalues, nga procedurat e fragmentuara te një sistem i unifikuar dhe nga kontrollet e përgjithshme te inspektimet e bazuara në analizën e riskut.

Ai theksoi gjithashtu nevojën për profesione të specializuara në fushën e sigurisë teknike, si inspektorët e sigurisë së ndërtesave, inspektorët e sigurisë nga zjarri dhe ekspertët e efiçiencës së energjisë, duke i konsideruar ato hallka të domosdoshme për garantimin e sigurisë reale të objekteve.

Në fjalën e tij, Sula vlerësoi rolin e universiteteve si partnerë strategjikë në hartimin e standardeve, zhvillimin e kërkimit shkencor dhe metodologjive moderne të kontrollit teknik, ndërsa theksoi se edhe biznesi duhet të shihet si partner i sigurisë dhe jo vetëm si subjekt kontrolli.

Një tjetër element kyç i reformës, sipas tij, është përdorimi i teknologjisë dhe analizës së riskut. Ai kërkoi që sistemi “e-Inspektimi” të shndërrohet në një instrument efektiv për menaxhimin e riskut, koordinimin institucional, planifikimin dhe rritjen e transparencës.

Kryeinspektori nënvizoi gjithashtu rëndësinë e përafrimit me standardet evropiane dhe Eurokodet, duke i konsideruar ato mekanizma thelbësorë për mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit.

Në përfundim, Sula apeloi për bashkëpunim të gjerë institucional dhe profesional në ndërtimin e një modeli të ri të sigurisë në ndërtime, duke theksuar se e ardhmja e inspektimit duhet të jetë më profesionale, më transparente dhe e orientuar drejt parandalimit.

© Panorama.al

Te lidhura