“Shqipëria s’ka të ardhme pa drejtësi të pavarur”- Kreu i “Mundësia” në takimin me David McAllister: Askush nuk është mbi ligjin, pandëshkueshmëria po merr fund!

Feb 18, 2026 | 15:19

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, zhvilloi një takim me David McAllister dhe përfaqësues të Komitetit të Politikës së Jashtme të Parlamentit Europian, ku u diskutua mbi zhvillimet politike në Shqipëri dhe ecurinë e reformës në drejtësi.

agron shehaj parlamenti evropian

Gjatë takimit, Shehaj theksoi se e ardhmja europiane e vendit lidhet drejtpërdrejt me forcimin e shtetit ligjor dhe garantimin e një drejtësie të pavarur.

“Në takimin me David McAllister dhe përfaqësuesit e Komitetit të Politikës së Jashtme të Parlamenti Europian, theksova një mesazh të qartë:

Shqipëria nuk ka të ardhme pa drejtësi të pavarur. Pandëshkueshmëria po merr fund dhe kjo është shpresa më e madhe për vendin. Nuk kërkojmë mbështetje për një parti”, shprehet Shehaj në postimin e tij në Facebook, referuar takimit me përfaqësuesit e lartë të PE-së.

Më tej ai thekson se e ardhmja e Shqipërisë varet vetëm nga mbështetja mbi shtetin ligjor, pasi askush nuk është mbi ligjin.

“Kërkojmë mbështetje për shtetin ligjor dhe për parimin se askush nuk është mbi ligjin. E ardhmja europiane e Shqipërisë varet nga kjo”, deklaroi Agron Shehaj.

© Panorama.al

Te lidhura