Shkeli Kodin Rrugor 1500 herë, 90 mijë euro gjoba

Dec 13, 2011 | 13:45

Një britanike, që jeton në Itali, ka marrë aq shumë gjoba qarkullimi, sa tashmë i duhet të paguajë më shumë se 90 mijë euro. 62-vjeçarja, e cila nuk është identifikuar për mediat, u gjurmua pasi makina e saj “Mercedes” u fotografua duke shkelur limitin e shpejtësisë dhe duke hyrë në zonat e limituara. Kështu, ajo ka shënuar 1500 shkelje ligjore brenda pak javësh. Fillimisht zyrtarët italianë nuk arritën ta gjenin, pasi targat e makinës së gruas që jetonte në Firence, ishin angleze. Ata nuk lejohen të hyjnë në sistemet e regjistrimit të vendeve të tjera. Policia e kishte vënë re “Mercedes”-in e parkuar në rrugë dhe kishte pritur derisa ajo të kthehej për ta marrë dhe më pas ata i dorëzuan detajet e gjobave të saj. Gruaja ka marrë një avokat për të zgjidhur këtë çështje, por autoritetet e policisë rrugore thonë se gjobat janë regjistruar tashmë dhe nuk mund të shmangen.

© Panorama.al

Te lidhura