Deputeti demokrat, Tritan Shehu, deklaroi në Kuvend se qëllimi i reformës në drejtësi nuk ishte lufta ndaj korrupsionit, por që t’i shërbehej regjimit diktatorial dhe pushtetit, për të goditur kundërshtarët dhe veçanërisht kreun e opozitës, Sali Berisha.
Ligjvënësi tha se reforma u realizua me interference të rrezikshme nga jashtë dhe se ata e kishin futur vendin në një vorbull.
“Reformë rrufe e drejtësisë, me interferenca të rrezikshme nga jashtë, e theksoj, me interferenca të rrezikshme nga jashtë, bëri dhe krijoi një situatë ekstremisht të rrezikshme në Shqipëri. Ku jo vetëm kryetari i opozitës u mbajt dhe mbahet për kaq kohë në mënyrën barbare dhe më të paligjshme, më pa prova, por kjo vazhdon akoma kalvarin, e ky shtet nuk ka guximin që ta bëjë e të thotë “na fal”, e bën atë si “mani pulite” në Itali, si inkuizicion dhe kundër demokracisë”, tha Shehu mes të tjerash.
Deputeti i PD vuri theksin tek cilësia e parlamentit për të bërë ligje dhe jo për të diskutuar minutazhe dhe rregullore. Për të, qëllimi i reformës mbetet shërbimi ndaj pushtetit dhe jo goditja e korrupsionit.
“Sepse ne e fusim veten në një vorbull të rrezikshme, duhet të kuptojmë se vlera e Parlamentit ndodhet te cilësia e ligjeve dhe jo kohëzgjatja e seancave. Ky sistem drejtësie ka qëllim që t’i shërbejë këtij regjimi diktatorial dhe pushteti dhe jo për të shpëtuar vendin nga korrupsioni”, përfundoi Shehu.
© Panorama.al












