Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump mund të vendosë të publikojë përpara ditës së premte marrëveshjen paraprake që synon t’i japë fund konfliktit me Iranin. Lajmi është konfirmuar nga zv/presidenti i SHBA-së, JD Vance, i cili tha se dokumenti është një memorandum mirëkuptimi prej rreth një faqe e gjysmë dhe me përmbajtje të përgjithshme.
Deklaratat vijnë pasi Trump njoftoi se marrëveshja është tashmë e nënshkruar. Gjatë një takimi me presidentin francez Emmanuel Macron në kuadër të samitit të G7 në Francë, ai u shpreh: “Jam shumë i lumtur të them se është nënshkruar, marrëveshja është plotësisht e nënshkruar”.
Sipas zyrtarëve të lartë amerikanë, dokumenti është firmosur në mënyrë elektronike nga Trump, JD Vance dhe kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf.
Zyrtarët amerikanë kanë zbuluar gjithashtu disa detaje të marrëveshjes, duke bërë të ditur se Ngushtica e Hormuzit pritet të rihapet të premten, në të njëjtën ditë kur marrëveshja do të nënshkruhet zyrtarisht në Gjenevë.
Ndërkohë, bisedimet teknike mbi programin bërthamor të Iranit pritet të nisin gjatë kësaj jave. Sipas administratës amerikane, çdo lehtësim i sanksioneve ose lirimi i aseteve iraniane do të varet nga përmbushja e angazhimeve të Teheranit në kuadër të marrëveshjes.
© Panorama.al












