Të paktën 210 kampe ruse për riedukim dhe stërvitje ushtarake, ku janë dërguar fëmijë të rrëmbyer nga Ukraina që nga viti 2022, janë zbuluar nga imazhet satelitore të përdorura nga një laborator i Universitetit Yale, për të përcaktuar vendndodhjen e tyre.
Kwshtu u shpreh drejtori i laboratorit për AFP-në. Konkretisht, me kërkesë të Departamentit të Shtetit të SHBA-së atë vit, Laboratori i Kërkimeve Humanitare (HRL) mori përsipër të vlerësonte numrin e fëmijëve të transferuar me forcë nga autoritetet ruse dhe shkallën e fenomenit, shpjegoi Nathaniel Raymond, i cili ishte në Stokholm për një seminar në parlamentin suedez të hënën kushtuar kësaj teme.
Fillimisht, ai e konsideroi detyrën pothuajse të pamundur.
Selfiet i tradhtuan ata
“Si mund t’i gjejmë fëmijët që janë të fshehur dhe të mbrojtur nga shërbimet ruse të sigurisë? Në një rast rrëmbimi ku kemi vetëm internetin dhe imazhet satelitore?”, pyeti veten ai. Zgjidhja erdhi falë një gabimi që bënë rusët: Selfie të zyrtarëve vendas rusë me fëmijë nga Ukraina.
“Zyrtarët vendas, duke kërkuar të fitonin favorin e Kremlinit, po fotografonin veten me fëmijë në autobusë”, thotë Raymond.
“Gjëja më qesharake në lidhje me këtë histori”, thotë ai, “është se ata kishin harruar të çaktivizonin gjurmimin e vendndodhjes së telefonit të tyre”.
“Kështu që ne ishim në gjendje të nxirrnim gjerësinë dhe gjatësinë gjeografike të vendndodhjeve të këtyre zyrtarëve dhe pastaj pamë në foto se mund të identifikonim pajisjet, përfshirë Apple Watch-et e tyre. Ne filluam të kërkonim”, shpjegon ai.
Informacioni ndahet me autoritetet ukrainase
Që atëherë, duke analizuar të dhëna të tjera të disponueshme, përfshirë fotot zyrtare të publikuara nga autoritetet ruse, HRL ka qenë në gjendje të identifikojë 210 kampe riedukimi dhe kampe ushtarake në të gjithë Rusinë ku mbahen disa nga fëmijët nga Ukraina.
Laboratori vlerëson numrin e tyre të përgjithshëm në 36,000. Pas urdhër-arrestit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC) të vitit 2023 për Vladimir Putinin, autoritetet ruse kanë ndaluar publikimin e këtij lloj informacioni në internet:
“Ata po fillojnë të pastrojnë vendin e krimit, të zhvendosin fëmijët”.
Fati i këtyre fëmijëve duhet të jetë një përparësi absolute në negociatat në vazhdim, përfundon Raymond.
© Panorama.al












