Në një intervistë për podcastin e Politico, në margjinat e Samitit të NATO-s në Ankara, Mark Rutte deklaroi se Donald Trump kishte të drejtë kur u kërkonte vendeve anëtare të rrisnin shpenzimet për mbrojtjen, të modernizonin forcat e tyre të armatosura, si edhe për vendimin e tij për të nisur luftën kundër Iranit.
“Më pëlqen ky njeri. Besoj se ajo që po bën për NATO-n është një lajm shumë i mirë“, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës.
Sipas Rutte, Trump ka arritur një objektiv që, siç tha ai, presidentët amerikanë e kanë ndjekur prej dekadash.
“Presidenti Trump po arrin në thelb atë që, që nga koha e Eisenhower-it, të gjithë presidentët amerikanë janë përpjekur të realizojnë, të balancojnë shpenzimet e mbrojtjes mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës”, theksoi ai.
Këto deklarata vijnë pavarësisht tensioneve që herë pas here kanë shkaktuar qëndrimet e Trump brenda NATO-s, duke filluar nga deklaratat e tij për Nenin 5 mbi mbrojtjen kolektive, kritikat ndaj liderëve të tjerë dhe vendimet lidhur me praninë ushtarake amerikane në Evropë.
Sipas Rutte, Samiti i këtij viti i NATO-s do të jetë “transformues” për Aleancën dhe do të çojë në investime të reja të mëdha në fushën e mbrojtjes.
Gjatë dy viteve të fundit, 31 vendet anëtare të NATO-s, përjashtuar SHBA-në, janë angazhuar për programe dhe investime të reja në mbrojtje me vlerë 250 miliardë dollarë, ndërsa priten edhe marrëveshje të tjera.
Kreu i NATO-s theksoi se vendet evropiane po rrisin ndjeshëm kapacitetet e tyre ushtarake për të marrë një pjesë më të madhe të përgjegjësisë për mbrojtjen e kontinentit.
“Duhet të ndërtojmë një NATO të qëndrueshme, e cila të mos varet në mënyrë të tepruar nga Shtetet e Bashkuara. Një Evropë më e fortë brenda një NATO-je më të fortë, ku evropianët dhe kanadezët marrin realisht më shumë përgjegjësi”, deklaroi ai.
Rutte shtoi se rritja e shpenzimeve për mbrojtjen nuk është vetëm rezultat i presionit të Trump, por edhe i kërcënimit që paraqet Rusia.
“Duhet ta bëjmë këtë për shkak të kërcënimit nga Rusia dhe shohim se çfarë po bëjnë rusët në Ukrainë”, tha ai, duke theksuar se synimi është mbrojtja e një miliard qytetarëve të vendeve të NATO-s përballë Rusisë, forcimit ushtarak të Kinës dhe bashkëpunimit mes Rusisë, Kinës, Koresë së Veriut dhe Iranit.
Donald Trump ka shprehur pakënaqësinë e tij për qëndrimin e disa aleatëve evropianë lidhur me luftën që SHBA nisi kundër Iranit.
“Na zhgënjyen. Nuk kishim nevojë për ndihmën e tyre, sepse i shkatërruam fjalë për fjalë që javën e parë, por do të ishte mirë të thoshin: ‘Duam të ndihmojmë'”, kishte deklaruar presidenti amerikan gjatë takimit me Rutte në Shtëpinë e Bardhë.
Megjithatë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s argumentoi se vendet evropiane luajtën një rol vendimtar në operacion.
Sipas tij, SHBA “me shumë gjasa nuk do të kishte mundur të realizonte operacionin Epic Fury pa përdorur Evropën si një platformë të madhe për projektimin e fuqisë ushtarake”. Si shembull ai përmendi Rumaninë, e cila mbylli aeroportin e saj më të madh komercial për të lehtësuar operacionet e avionëve amerikanë.
Rutte shtoi se mijëra avionë u ngritën nga bazat evropiane gjatë periudhës së dimrit.
Në përfundim, ai theksoi se, pavarësisht mospajtimeve në çështje të veçanta, SHBA-ja dhe aleatët evropianë mbeten të bashkuar.
“Presidenti ka të drejtë kur thotë se ka raste të veçuara ku është me të drejtë i zhgënjyer. Por nëse shohim panoramën e përgjithshme të asaj që po bëjnë evropianët, kontributi i tyre është i jashtëzakonshëm”, përfundoi Rutte.
© Panorama.al












