TIRANË- Mblidhet grupi i punës për shqyrtimin e ndryshimeve në rregulloren e Kuvendit. Kryetarja e Kuvendit që hapi mbledhjen e parë të grupit të punës, e cilësoi rregulloren aktuale të shkëlqyer, e me standarde, por që mund të ketë mundësi edhe për përmirësime të mëtejshme në përputhje me rregulloren e PE.
“Grupi i punës përbëhet nga 4 vetë, dy deputetë Jemi Gjana dhe Namik Dokle me eksperiencën më të gjatë në Kuvend, që janë bashkëdrejtues të grupit të punës”- tha Topalli. Pjesë e grupit janë edhe deputetët Viktor Gumi dhe Ditmir Bushati.
Deputeti i PS-së, Namik Dokle e quajti këtë një ditë të rëndësishme nga pikëpamja e prakticitetit të punës në Kuvend. “Gjatë kësaj kohe kemi bërë dhe ndryshuar rregullore, por jeta parlamentare sugjeron ndryshime të tjera. Nga kjo pikëpamje domosdoshmëria e përmirësimit është evidente, ky do i japë impuls punës së grupit, por këtë nuk e konceptojmë si punë e 4 vetëve, por gjithë deputetëve, ekspertë të fushës, për të bërë dicka sa më të mirë”- tha ai.
Dokle vlerësoi përmirësimin e kuadrit ligjor të statusit të deputetit duke iu referuar praktikës së PE, duke theksuar se nuk është përmirësim nenesh të rregullores, por thellim i mëtejshëm i jetës parlamentare.
Pas fjaleve te hapjes, mbledhja u zhvillua me dyer te mbyllura e pa pranine e medias.
© Panorama.al











