Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti sot një konferencë për mediat nga ku foli për zgjedhjet e 11 Majit, të cilat ai i cilëson si farsë elektorale.
Berisha foli ndër të tjera për vendimin e KAS për të pranuar kërkesën e opozitës dhe për të kryer rinumërimin e votave për qarkun e Tiranës dhe Fierit për subjekte politike dhe kandidatët.
Lidhur me këtë Berisha tha se PD mbështet kërkesat e kandidatëve që kanë kërkuar rishikim.
| Lexo edhe: Ilirjan Celibashi jep detaje për rinumërimin e votave në Tiranë dhe Fier: Procesi do të nisë javën e ardhshme, do të realizohet nga stafi i KQZ-së |
Sali Berisha: Absolutisht përveç transparencës, asnjë gjë tjetër. Jo! Unë, edhe njëherë e sqarova edhe dje, ky proces është nisëm e kandidatëve të veçantë, të cilëve ligji u ka hequr të drejtën e mundësisë për t’u konsideruar në kërkesën e tyre dhe PD, për hir të transparencës dhe jo për asnjë motiv tjetër, ka vendosur t’i mbështesë kërkesat e tyre.
Sepse PD mbështet çdo kërkesë të çdo individi brenda saj apo në rastin konkret në zgjedhje, që kërkon të rishohë votat. Unë mbaj një parim, nuk bëj atë që bën ai tjetri që nuk lejon kurrë të votohet në parti dhe nuk i lejon as të numërojë votat.
Unë nuk e bëj këtë. Unë them transparenca dhe kërkoj mirëkuptim nga çdo kandidat të mos harrojë se jemi parti e transparencës. Nuk merrem fare me çfarë do paraqesin. Jo!











