Regjistrimet në gjimnaze, ja procedurat dhe afatet

Aug 2, 2017 | 21:16

Krahas garës për të hyrë në auditorët e universitetit, fundi i këtij muaji përkon edhe me konkurrimin për të zënë një vend në shkollën e mesme.

48_big

Bëhet fjalë për ata që sapo kanë përfunduar minimaturën dhe dëshirojnë të ndjekin gjimnazin që duan. “Petro Nini Luarasi”, “Sami Frashëri”, “Qemal Stafa” dhe “Ismail Qemali” vijojnë të mbeten në krye të toplistës së gjimnazeve të preferuara, e duke qenë të tilla kanë kritere për të pranuar më të mirët. Procesi i përzgjedhjes së më të mirëve nis dy javë përpara fillimvitit shkollor, ndërsa fituesit do të shpallen vetëm në datën 8 dhe 9 shtator.

PROCEDURA DHE AFATET

Një vend të sigurt e kanë ata që janë pjesë e juridiksionit të shkollave 9-vjeçare që çdo gjimnaz mbulon. “Lufta” bëhet nga nxënësit e tjerë, të cilët lakmojnë aq shumë një nga ato vendet e mbetura bosh nga kapaciteti pritës i gjimnazit. Drejtoresha e “Petro Nini Luarasit”, Teuta Braçaj, sqaron procedurën që ndiqet për këto raste.

“Paraprakisht ne marrim të dhënat vetëm për shkollat që mbulojmë (“Edit Durham”, “Emin Duraku” dhe “Dëshmorët e Lirisë”) për të ditur me përafërsi numrin e nxënësve që mund të vijnë. Këtë vit janë diku mbi 300 të tillë, ndërsa kapaciteti pritës i yni është 450″.

Procesi i regjistrimit kryhet në dy faza. Fillimisht është ai paraprak që bëhet në dy javët e fundit të muajit maj dhe regjistrimi përfundimtar, dy javë përpara nisjes së vitit shkollor. “Më 28 gusht nisin regjistrimet për tre shkollat pritëse ku paraqitet prindi me fëmijën.

Për t’u regjistruar duhet të sjellë certifikatën personale bashkë me dëftesën origjinale”, sqaron drejtoresha. Shanset për të ndjekur shkollimin te “Petro Nini Luarasi” a te çdo shkollë tjetër e dëshiruar përllogariten vetëm pas kalkulimit të diferencës midis kapacitetit pritës dhe regjistrimeve të javës së parë. Në këtë pikë, prioritet kanë nxënësit me mesatare më të lartë, ndonëse drejtoresha pranon se ka raste kur bëhen edhe përjashtime.

“Javën e dytë, në datat 5, 6 dhe 7 shtator bëjmë një regjistrim jo me dëftesa, por emër, mbiemër, notën mesatare dhe shkollën nga vjen. Po ashtu, bëjmë një rankim të nxënësve me mesatare të lartë deri te më e ulëta. Në këtë rast shikojmë dhe vendbanimin, pasi ka nga ata të shkollave private që banojnë te “Komuna e Parisit” apo diku përreth. Ai mund të mos ketë mesatare maksimale, por i takon të regjistrohet te ne”.

Dy ditë përpara nisjes së vitit shkollor shpallet lista e fituesve në bazë të vendeve bosh dhe vetëm atëherë bëhet regjistrimi me dëftesë origjinale në sekretarinë e shkollës. Sipas udhëzimit të ministrisë së arsimit, një klasë duhet të ketë jo më shumë se 35 nxënësve.

BESARTA BASHA

© Panorama.al

Te lidhura