DODE PRENGA
Diskutimi për referendu met nuk ka tërhequr interesin e amendimeve dhe reformave zgjedhore, ngase si rregull ka prevaluar problemi ndërpolitik. Ndoshta ndonjë shije në të shkuarën, ose vetëvlerësimi i politikes si plotësisht përfaqësuese, kanë bërë që të hijezohet kjo pjesë. Cilido qoftë argumenti për këtë, rregullimi i procedurave të ushtrimit të sovranitetit të drejtpërdrejtë sipas përcaktimeve kushtetuese është e rëndësishme të bëhet për disa arsye që lidhen me target përfaqësuese, me sensitivitetin e disa problemeve etj. Së pari, në këndvështrimin qytetar, të zgjedhurit po bëhen më shumë përfaqësuesit e politikës së popullit si në përfaqësimin lokal, edhe në atë qendror. Formula aktuale të listave të ngurta veçse e theksojnë këtë tipar. Gjasat që kjo të ndryshojë me hop janë të vogla ngase interesi për një disiplinë politike duket që është më frymëzues për reformën zgjedhore, krahasuar me çështje që nuk janë adresuar me theksim të mjaftueshëm për të pasur një vëmendje si ato të defekteve të listave të mbyllura. Nevoja për ushtrim të drejtpërdrejtë të sovranitetit kësisoj është e natyrshme dhe e rritur. Së dyti, vetë përfaqësimi tek ne është mjegulluar në praktikë. Si institucion ai është dobësuar rregullisht për shkaqe objektive e subjektive dhe në historinë e shtetit tonë mund të jetë kategoria më e debatueshme. Por, edhe si virtyt nuk është aq i spikatur në kohët moderne dhe ne nuk bëjmë përjashtim, ndaj në disa raste duhet natyralizuar nëpërmjet shprehjeve direkte. Së treti, për specifikat gjeopolitike dhe historiko- sociale të vendit tonë, shumë lëvizje mund të shkaktojnë inkadeshenca të forta sociale dhe mjaft reforma të ndërmarra nga një qeverisje thuajse en blok kundërshtohen nga elektorati jo votues. Referendumi jo vetëm që zgjidh pa ekuivok problemet që politika nuk i zgjidh ose i zvarrit por e bën popullin votues të ndjehet sovran për problemet madhore të vendit. Për 20 vjet rresht politika dështoi në çështjen e dosjeve të policisë sekrete të diktaturës, për një ligj të qëndrueshëm për pronat, sot politika ka vështirësi serioze të dakordohet për një sistem më produktiv zgjedhor për sistemin i drejtësisë apo çështja e Presidentit. Këto çështje janë trajtuar njëanshshmërisht herë- herë me doza tepër konfliktuale dhe pas kaq vitesh ato mbeten probleme të mprehta. Shoqëria e sotme është plotësisht e pjekur që të flasë vetë nëse duhet, pa ndërmjetësinë përfaqësuese për një numër çështjesh që mund t’u përgjigjesh me po ose jo. Por, që ky institucion i rëndësishëm të funksionojë, lipset të bazohet mbi një legjislacion të plotë, funksional dhe të harmonizuar me ligjet e tjera, veti që dispozitat aktuale në fuqi nuk i kanë, ose i kanë të pjesshme. Mund të sillen argumente të forta që referendumet të rregullohen me ligj të posaçëm, e ndoshta duhej të ishte ligji i parë për t’u marrë në dorë në këtë stinë reformash të kërkuara. Fakti që ai është pjesë e Kodit Zgjedhor ka frenuar rregullimet në të, ndërsa në kuadër të një ligji të veçantë, edhe pse me votim të cilësuar, mund të ishte më fleksibël ndaj bashkëpunimit politik. Referendumet nuk duhen parë vetëm si aktivitete jopolitike për çështje publike, ato mund të iniciohen edhe nga politika për raste të veçanta, duke dhënë zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjata për probleme që kanë sensitivitet të lartë. Nuk do të teprohet nëse rregullimet për pjesën për referendumet t’i quajmë si njëri nga gurët e themelit në legjislacionin zgjedhor dhe tregues të pjekjes së demokracisë sonë.
*Ish-anëtar i KQZ











