“Ramës i urojmë 100 vite në pension ose në arrati”- Biznesmeni ironizon: Tani ai është ish-kryeministër! Mbi 300 mijë njerëz në shesh, policia përdor patronazhistë me uniformë për dhunë

Jul 5, 2026 | 14:37

Biznesmeni Erlind Xhindi, një nga aktivistët më të angazhuar në protestën që vijon prej 36 ditësh në bulevardin para Kryeministrisë, tha se Edi Ramës i uruan dhe urojnë 100 vite të “begata” në pension apo në arrati.

erind xhindi

Madje, i ftuar në studion e News24 ditën e sotme, teksa komentonte protestat e fundit, arrestimet e Policisë dhe masën e sigurisë në Gjykatë, ai theksoi se Rama tani është ish-kryeministër.

Xhindi hodhi akuza të forta edhe ndaj mazhorancës socialiste dhe PD-së së drejtuar nga Berisha. Ai tha se në shesh ishin të paktën 350 mijë qytetarë dhe se diaspora luajti një rol kyç, ndërsa denoncoi sjelljen joproportionale të policisë dhe mungesën e mbështetjes reale nga politika zyrtare.

“Dje ishte ditëlindja e kryeministrit. Ne i urojmë 101 pranvera të begata në pension ose në arrati, sepse këtu tek ne nuk do jetë më. Siç e ka qejf ish-kryeministri Edi Rama, sepse kështu e kemi quajtur ne, dje kanë qenë diku te 300-350 mijë protestues deri në pikën që nuk merrnim dot frymë në shesh. Di të them që diaspora ka qenë aty me ne dhe iu përgjigj thirrjes sonë,” u shpreh Xhindi mes të tjerash.

Xhindi u tregua mjaft kritik me lidershipin e Partisë Demokratike dhe Sali Berishën, duke nënvizuar se kjo lëvizje është e qytetarëve dhe se partive politike u është ndaluar protagonizmi.

“Zoti Berisha ka deklaruar se është pro protestës, por nuk ka bërë asnjë veprim në mbështetje të kësaj proteste. Zoti Berisha duhet të ishte i pari që të premtonte dorëheqjen, edhe nëse nuk do e bënte më para se Rama, por duhet të kishte një deklaratë të fortë politike. Sa i përket opozitës, nuk kemi pasur ndonjë mbështetje reale, flas nga ato që kam dëgjuar nga deklaratat e zotit Berisha. Partitë e vogla janë të mirëpritura si mbështetëse të protestës dhe kanë qenë aty. Si protestues i kemi ndaluar të japin deklarata dhe të marrin protagonizëm politik, por si protestues janë të mirëpritur,” deklaroi biznesmeni.

Sa i përket përplasjeve para Parlamentit më 2 korrik, ku deputetët u qëlluan me vezë, Erlind Xhindi akuzoi policinë për përdorim të dhunës barbare dhe gazit lotsjellës ndaj shtresave të ndryshme të popullsisë, duke hedhur dyshime se në radhët e uniformave blu ka pasur infiltrime.

“Para Parlamentit në 2 korrik janë goditur deputetët me vezë në shenjë revolte. Policia nuk ka pasur reciprocitet aty, nuk ka qenë proporcionale ndaj protestuesve në përdorimin e gazit lotsjellës që është i rrezikshëm, aty ka shumë gra apo të moshuar. Aty policia nuk ka shfaqur ndonjë veprim serioz dhe pse në rishikimet që kemi bërë përmes kamerave që janë kudo, ata janë disa elementë patronazhistë mund të thosha unë, jo policë po pseudopolicë. Duhet të merren masa ndaj tyre, duhen masa ndaj një polici që ushtron dhunë fizike ndaj një protestuesi që është i prangosur,” përfundoi Xhindi.

Biznesmeni tha se priste që Gjykata të mos mbante asnjë nga 21 të arrestuarit nga Policia në qeli, sepse nuk ka asnjë provë dhe në shesh u pa se u përdorën vezë dhe miell.

© Panorama.al

Te lidhura