Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, ku shkoi në respektim të masës detyrim paraqitje që i ka vendosur GJKKO për dosjen “Partizani”, se ai i mbështet protestat e qytetarëve dhe rinisë shqiptare, sepse ato janë për të ardhmen e vendit dhe kundër qeverisë totalitare.
Ndërsa u pyet nga gazetarët ku dha edhe një prononcim në lidhje me hetimet dhe procesin ndaj tij, kreu i selisë blu komentoi edhe aktualitetin politik.
Sipas tij, Edi Rama e “ka prerë biletën” dhe për punë ditësh do të largohet, ndërsa nënvizoi se kryeministri i gjendur nën panik nga protesta qytetare po shpik fashistë.
“Jam i bindur se do fitojnë. I them Edi Ramës, çfarëdo që të bësh je i pashpresë. Mos harro, ta kanë prerë biletën, mos shpik fashistë, turp i madh. Qytetarë që nuk kanë këputur një lule, i quan fashistë e protesta fashiste. Por edhe ca ditë dhe ai do iki”, deklaroi ai.
Ai ftoi të gjithë demokratët që të merrnin pjesë në atë protestë që ka nisur prej dy javësh.
“Demokratët të marrin sa më shumë pjesë në këtë protestë. Të mos frikësohen nga slogani i opozitës së opozitës, i njihni vetë ata aty se kush janë. Unë përshëndes ata qindra mijëra qytetarë dhe të rinj që po e çlirojnë vendin nga diktatura, më e tmerrshme edhe se totalitarja, sepse ka përzënë mbi 1 milionë qytetarë. Dhe ky është gjenocid. Edi Rama meriton të gjykohet për këtë gjenocid”, u shpreh ai.
I pyetur nëse protesta kishte edhe anëtarë të PD-së, ai e pohoi, por shtoi se vetë nuk mund të shkonte sepse ishte partiak. Në lidhje me parullat “Berisha në burg”, ai la të kuptohej se mbështetësit nuk duhet të frikësoheshin nga ai slogan. Madje sjelljen e qeverisë e cilësoi si “miza e kalit që tërheq karrocën”.
“Janë të gjitha aty, janë me qindra dhe mijëra demokratë, mund ta vërtetoni. Dhe i ftoj përsëri që të shkojnë. Kam admirim më të madh për këtë protestë, e par dhe më e fuqishmja protestë rinore si asnjëherë dhe ata përpiqen ta manipulojnë. Ata duken si miza të kalit që tërheq karrocën”, vijoi Berisha.
Kryedemokrati tha gjithashtu se nuk ishte xheloz për atë protestë që drejtonin qytetarët vetë dhe se nuk do t’i bashkohej personalisht, por mbështeste të gjithë anëtarësinë e PD që të ishte aty.
“Nuk ndjej xhelozi. Unë e ndjek me admirimin më të madh. Jo nuk do shkoj, se nuk është partiake. Unë nuk bëj Edi Ramën, unë jam partiak dhe nuk i prek ato ngjyra. Kjo është protesta më paqësore, më e bukur që ka njohur Shqipëria, çfarë kanë me fashizmin ata, nuk ka fashizëm”, tha ai.
Berisha kërkoi qeveri teknike dhe zgjedhje të lira. Kurse për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, nënvizoi se ishte dakord për listat e hapura dhe ndryshime rrënjësore.
“Një qeveri teknike që përgatit zgjedhje të lira do ishte veprimi më i madh dhe më i rëndësishëm i kësaj proteste. Unë kam qenë në negociata dhe kam shprehur se jam për lista të hapura, plotësisht, i qëndroj asaj, domosdoshmërisë për ndryshime rrënjësore. Për sanksionimin maksimal për krimin elektoral, shpalljen e tij krim kushtetues të rëndë, në mënyrë që ajo që ndodhi me Ramën të mos përsëritet, se është shkatërrimtare”.
© Panorama.al












