Kryetari i PD-së, Sali Berisha, tha sot nga konferenca për shtyp se deklaratat e bëra dje në Parlament nga kreu i grupit të PS, taulant Balla, reagimet e Ramës dhe ministrave të qeverisë, janë vetëm mashtrime, pasi IBAR nuk është votuar unanimisht nga vendet e BE-së.
Sipas tij, shkak që Malit të Zi iu votua dhe Shqipërisë jo është “afera e shëmtuar e Lubi Ballukut”. Sipas Berishës, pas dosjes së zv/kryeministres së pandehur, shkarkuar dhe pezulluar është vetë Rama, ashtu sikurse te “provat lemeritëse” të AKSHI-t, ku “fshihet Linda e Surrelit” dhe shtoi se ka regjistrime.
“E vërteta është ajo që BE e bëri publike nëpërmjet një radioje publike siç është REL. Në atë radio u njoftua nga zëdhënës të BE-së së pari se për Malin e Zi, IBAR-i është miratuar me unanimitet, e jo siç mashtroi zëdhënësi i Ramës. Për Shqipërinë absolutisht nuk është votuar dhe sipas atij njoftimi janë jo një, por disa vende që nuk kanë pranuar të votojnë IBAR-in, që duhet votuar me unanimitet. Edhe një vend mund ta bllokojë, por në rastin e Shqipërisë janë disa vende. Është absolutisht e pavërtetë që është votuar. Këta kanë një problem, se kanë zgjedhur mashtrimin. Dhe po sipas zëdhënësit të BE-së, asnjë kapitull nuk mund të mbyllet pa u votuar unanimisht nga të gjitha vendet, IBAR është i ndërmjetëm si vendim por pa këtë asnjë kapitull nuk mbyllet. Nuk po them burimet e tjera që e konfirmojnë, por po marr një publikim zyrtar që është ajo e një radio publike si Radio Evropa e Lirë. Të tjerat janë mashtrime dhe vetëm mashtrime. Rama mashtroi dje, Taulant Toyota Yaris po kështu”, tha Berisha.
Ai shpjegoi edhe shkakun kryesor pse nuk u votua raporti i brendshëm i IBAR, që i hap rrugën mbylljes së grupkapitujve nga BE për negociatat dhe integrimin.
“Është Lubi Balluku shkaku më kryesor. Dhe pse? Cilido që di të lexojë, ka parasysh reagimin që bënë jo një, por disa nga ambasadat në Tiranë për aferën Balluku. Është afera më e shëmtuar në 32 vite jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë. Sepse është kuptuar se Balluku është thjesht fasada, sepse në të vërtetë është Edi Rama”, vijoi kryedemokrati.
Kurse për dosjen e AKSHI-t ai akuzoi se “provat janë lemeritëse” për kryeministrin dhe bashkëshorten e tij. Ai e cilësoi kryeministrin si një “fantazmë të pakallur” politikisht.
“Dua t’ju them ju se përmasat e AKSHI-t janë edhe më lemeritëse, se aty ku është Mirlinda është Linda e Surrelit dhe se çfarë është Linda e Surrelit e dini vetë ju. Kur unë e denoncova, me dokument të ardhur nga Prokuroria me regjistrim ambiental, mediat e injoruan, ato janë të gjitha në dosje, ajo dosje nuk mund të zhduket, qarkullon në Evropë ajo dosje, po, po… ndaj ka një fantazmë sot, një kryeministër fantazëm është Edi Rama, kryeministër i pakallur. Del çdo ditë e mashtron, dëgjova ministrin e Jashtëm, tha jemi të parët, mashtrim”, u shpreh kreu i selisë blu.
Dhe teksa iu kthye diskursit diplomatik dhe gjeopolitik për çështjen e integrimit dhe rajonit, Berisha nënvizoi se shkak janë dy ligje që Rama po tenton të kalojë me forcën e kartonit dhe që kërcënojnë integrimin e vendit.
“Mali Zi u votua, ja votuan IBAR-in. Pse? Se kanë ndryshuar dy ligje ky (Rama) dhe ndryshimi i atyre dy ligjeve kërcënon avancimin e procesit. Kurse Rama është bërë parzmore e korrupsionit, përdori 82 mandate për Lubi Ballukun, është kreu i organizatës kriminale jo vetëm në qeveri, por edhe në dosjen e Ballukut. Ka vend për dy organizata kriminale, për dy grupe të strukturuara kriminale. Absolutisht nuk është votuar, jo, mashtrojnë çdo ditë, nuk është e vërtetë që është votuar. E vërteta është histori e ngjashme me raportin paraprak të zgjedhjeve. E patë se çfarë përpjekje banditeske bënë për ta ndryshuar raportin, ndërhynë shumë, por dështuan, ndërhynë me të gjitha mjetet”, përfundoi Berisha.
© Panorama.al











