Politologu Ermal Hasimja deklaroi në emisionin “Kjo Javë” se negociatat me partitë opozitare për t’iu bashkuar Forumit të Dialogut Politik dhe për krijimin e një Fronti opozitar qytetar janë në vijim, përfshirë edhe lëvizjen “Shqipëria Bëhet”.
Hasimja sqaroi se me grupin negociator të kësaj force politike janë dëgjuar dhe diskutuar kërkesat e tyre, ndërsa procesi mbetet ende i hapur.
Duke komentuar skepticizmin ndaj nismave opozitare, Hasimja tha se ky reflektim përfaqëson edhe skepticizmin e shoqërisë, përballë një situate ku, sipas tij, pushteti është i përqendruar në një dorë.
Ai theksoi se suksesi i protestave dhe nismave qytetare varet nga përfshirja e qytetarëve që qëndrojnë larg politikës partiake.
Hasimja shtoi se po zhvillohen takime të vazhdueshme, me qëllim që në ditën e mbajtjes së tryezës së dialogut, palët të jenë sa më pranë një dakordësie të plotë.
Ermal Hasimja: Skepticizmi i zotit Duka është skepticizmi i shoqërisë. Situata është e tillë që ke përballë një njeri që i ka pothuajse të gjitha pushtetet dhe kur i del ndonjëherë nga dora si SPAK e GJKKO bëhet keq. Pyesin se cfarë do të bëjë protesta e Lapajt, të gjitha këto forma bashkë do të jenë të suksesshme, atëherë kur në shesh të shfaqen në mënyrë të dukshme ata qytetarë që rrinë larg politikës. Nëse në shesh rrinë ata që janë anëtarë të partisë, nuk do të arrijmë ndonjë gjë të madhe.
Për kërkesat që ka patur “Shqipëria Bëhet”, kemi negociuar me grupin e tyre.
Kanë patur kërkesat e tyre, ne po bëjmë një negociim ambulant. Kemi bërë një takim me kreun e PD dhe aleatët. Takimin dhe negociimin me lëvizjen e Diasporës e kemi kryer online. kjo kërkon kohën e vet derisa të dakordësohemi me të gjithë partitë.
Po bëjmë takime me qëllim që ditën e tryezës të jemi të dakordësuar.
© Panorama.al












