Ulja e konsumit në vend, ashtu siç pritej, është reflektuar në rritjen e depozitave bankarë. Qytetarët kanë preferuar që të mbajnë paratë e tyre në depozita dhe raporti i Bankës së Shqipërisë reflekton faktin se në pjesën e parë të vitit për depozitat në lek është shënuar rritje. “Deri në muajin qershor 2011, u pranuan 326 miliardë lekë depozita të reja me afat në lekë, ose rreth 7% më shumë se depozitat e reja të pranuara në gjashtëmujorin e parë të vitit 2010”, thuhet në raportin e BSH-së. Prirja për të kursyer ka qenë më e fortë përballë normave të interesit për depozitat në lekë, të cilat kanë pësuar rënie. Qytetarët kanë preferuar që depozitat të kenë afat maturimi mesatarisht të gjatë, pra 1 vit e lart, ndërkohë që afatet mujore kanë qenë më pak të preferuara. Një tjetër tendencë e qytetarëve ka qenë edhe prirja për të pasur depozita në dollarë apo në euro, e vlerësuar kjo me pasigurinë që ka lënë pas kriza globale, por tashmë edhe problemet e krizës së eurozonës. “Depozitat e reja me afat në dollarë të pranuara nga sektori bankar në gjashtë muajt e parë të vitit 2011 ishin 476 milionë USD, duke qenë rreth 9 .6% më pak se ato në gjashtëmujorin e parë të vitit 2010. Ndërsa depozitat në euro, në pjesën e parë të vitit ishin 2.45 miliardë euro, duke rënë me 21 për qind në krahasim me vitin 2010”, sqarojnë shifrat e Bankës së Shqipërisë. Në total, normat e interesit për depozitat si në lekë, në euro apo në dollarë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kanë qenë më të ulëta, por kjo nuk i ka penguar qytetarët që të priren drejt kursimit. Një sjellje të tillë Banka e Shqipërisë e ka vlerësuar shpesh në raportet e saj përgjatë këtij viti, për shkak se edhe konsumi i brendshëm shënoi ulje të theksuar. Jo rrallëherë këshilla e BSH-së ka qenë që qytetarët të rrisin konsumin, në mënyrë që të stimulohet edhe ekonomia.











