Qirjazi: Më shkarkuan në terr, është 1 mijë për qind e padrejtë

Dec 19, 2011 | 15:49
Vladimir Qirjazi, ish-zv.komandant i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes

Njëri prej katër gjeneralëve të shkarkuar nga Presidenti Topi dy ditë më parë është Vladimir Qirjazi, zv.komandant i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes. Burime nga Ministria e Mbrojtjes bëjnë të ditur se mund të jetë personi që kishte raportuar në ambasadë lidhur me korrupsionin e Gjunkshit në ushtri, i raportuar në WikiLeaks. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ai thotë se lajmin e shkarkimit e ka marrë nga mediat dhe më parë nuk ishte informuar nga eprorët.
Presidenti Topi, me propozim të ministrit të Mbrojtjes, ju ka shkarkuar si zv.komandant i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes. Si e gjykoni ju këtë dekret?
Për të qenë i sinqertë unë kam parë diçka në median tuaj, por vetë nuk kam asnjë informacion dhe jam i painformuar për këtë punë. Si e quaj unë dhe a është e drejtë? Absolutisht është e padrejtë, 1 mijë për qind, por problemi është se nuk mund të them ndonjë gjë, sepse asnjeri nuk më ka informuar, as Shtabi apo ministri. Çdo gjë është një terr i vërtetë.
A ka argument për dekretin e shkarkimit?
Nuk ka asnjë argument, vetëm çfarë keni parë ju, asnjë gjë tjetër nuk ka.
Ju nuk keni pasur kontakte me shefin e Shtabit, apo me këshilltarë të Presidentit?
Asnjë kontakt nuk kam pasur. Asnjeri nuk më ka thënë gjë, madje as nuk më ka shkuar në mendje se mund të ndodhte një gjë e tillë, të paktën për pozicionin tim.
Në dekret thuhet se iniciuese është Ministria e Mbrojtjes…
Unë nuk e di kush është, por di që me propozim është ministri i Mbrojtjes. Se kush e ka iniciuar këtë nuk e di. Unë nesër (sot) do të jem në punë vetë dhe do të interesohem për këtë çështje, do të kërkoj të di si është problemi dhe më pas do të shoh. Personalisht për mua është diçka e papritur dhe e pamotivuar.
A mendoni se shkarkimi juaj ka lidhje me raportin e WikiLeaks, ku akuzohej shefi i Shtabit, Xhemal Gjunkshi, për afera korruptive me dërgimin e ushtarëve në misione jashtë shtetit?
Unë nuk dua të bëj këto analiza në këtë moment. Ju i keni botuar ato dhe ju i dini të gjitha ato gjëra, ju i dini si janë. Nëse dikush del ndryshe dhe unë dal ndryshe, dhe përpiqen që të jenë në këtë, edhe kjo mund të jetë, por nuk dua të bëj këtë analizë në këtë moment. Pavarësisht si qëndron analiza ime e problemit, tani që po flas, për sa kohë nuk kam folur edhe unë me eprorët e mi, kam edhe unë deduksionet e mia. Kam plot gjëra për të thënë.

Raporti i WikiLeaks per korrupsionin ne Ushtri
Sipas raportimeve jozyrtare, komandantë të lartë kërkojnë një ryshfet deri në 7000 dollarë nga një ushtar që kërkon të shkojë në Irak apo Afganistan. Kjo sasi është sa gjysma e shumës që ushtarët marrin nga burimet ndërkombëtare gjatë qëndrimit të tyre gjashtëmujor, duke marrë si të vërtetë se mesatarja e shumës ditore është 80 dollarë në ditë. Shumë oficerë nuk mund ta paguajnë këtë shumë përpara zhvendosjes së tyre, kështu që ata kërkojnë të marrin borxh, të cilin e paguajnë gradualisht duke dërguar gjysmën e pagesës ditore pasi vendosen jashtë vendit. Edhe pas këtyre pagesave, shuma e parave e marrë nga dërgimi jashtë vendit është e konsiderueshme për një oficer shqiptar, kështu që shumë oficerë janë të gatshëm ta paguajnë ryshfetin. Por, megjithatë, ka pasur ankesa. Në tetor, një grup ushtarësh nga Regjimenti Komando kanë shkruar një letër të pafirmosur për liderët e qeverisë së Shqipërisë dhe kanë dërguar një kopje, duke deklaruar se kolonel Xhemal Gjunkshi, komandant i Regjimentit, i kërkon këto ryshfete dhe është i përfshirë në skema të tjera korrupsioni; ata kërcënuan se do t’i dërgojnë ankesat e tyre në “New York Times” për publikim.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura