“Pushtimi i zgjedhjeve nga shteti është problematikë e madhe”- Mblidhet komisioni për “Zgjedhoren”, Bylykbashi: Të lëmë mënjanë faktorët që kanë sjellë dështim të proceseve

Feb 13, 2026 | 11:15

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi në mbledhjen e Komisionit për Reformën Zgjedhore ka theksuar se zhvillimet në fund të vitit 2025 janë një tregues i qartë për fatin dhe funksionimin e Komisionit.

bylykbashi

Bashkëkryetari i Komisionit paralajmëroi se nuk duhet të përsëriten situata të ngjashme me ato të vitit 2020 apo me momentin e votimit për Avokatin e Popullit, kur sipas tij në Parlament u votua diçka krejt tjetër nga ajo që ishte diskutuar.

Bylykbashi u shpreh se Komisioni ka për detyrë të trajtojë rekomandimet e OSCE/ODIHR dhe të arrijë në vendimmarrje politike me konsensus. Ai theksoi se është përgjegjësi e përbashkët e palëve që, duke identifikuar qartë qëndrimet dhe problematikat, të kërkohen zgjidhje përmes dialogut dhe me kontributin e partnerëve me ekspertizë ndërkombëtare.

“Ajo që ndodhi në fundin e 2025 ishte një tregues i rëndësishëm se cfarë mund ti ndodhë këtij komisioni dhe cfarë mund të ndodhë me këtë komision.

Nuk duhet të përsëritet ajo që ndodhi në 2020 dhe që u ripërsërit me momentin e votimit të Avokatit të Popullit, ku në parlament u votua një gjë krejt tjetër.

Ky Komision ka për objekt dhe detyrë që t’i trajtojë rekomandimet e OSBE/ ODIHR të arrijë në vendimmarrje politike me konsensus. Është puna jonë e përbashkët që duke identifikuar qartë qëndrimet dhe problemet të kërkojmë zgjidhjet me këto probleme duke marrë kontributin e partnerëve me ekspertizë ndërkombëtare.

Duhet që ky Komision të marrë më të mirën e proceseve të shkuara të lërë mënjanë faktorët që kanë çuar në dështimin e proceseve. Kjo është parakusht që kjo reformë të ketë sukses. Kjo do të jetë korniza që ne si opozitë, të jetë kjo që na udhëheq. Çdo gjë tjetër do të ishte e papranueshme. Edhe në të shkuarën kemi pasur situata që kanë pasur paqartësi dhe duke pasur ketë të qartë, të hartohet një strategji”, tha deputeti i PD.

Bylykbashi ndaloi edhe te sistemi zgjedhor, duke e cilësuar atë si një nga problemet kryesore. Ai foli për atë që e quajti “pushtimi i zgjedhjeve nga shteti”.

“Sistemi zgjedhor është një nga problemet që ne kemi, pushtimi i zgjedhjeve nga shteti është problematikë e madhe. Kur flas për pushtimin e zgjedhjeve nga shteti, kjo nis nga përdorimi i individëve në proces deri në përdorimin e pushtetit. Kemi vendosur ta nisim nga një çështje që është me rëndësi, partitë politike kanë interes për mënyrën se si do të financohen. Pra nuk duhet parë vetëm nga transparenca aspekti i financimit, por edhe nga burimet nëse janë të mjaftueshme apo të shëndosha që nuk i bën partitë të varura apo vunerabël të presioneve”, tha Bylykbashi.

© Panorama.al

Te lidhura