
Deputetët e Partisë Socialiste i kanë dërguar dje një letër me 23 pyetje ministrit të Ekonomisë, Nasip Naço, ku i kërkojnë informacion lidhur me gjendjen në minierën e Bulqizës. Tetë deputetë kanë firmosur një letër ku e pyesin ministrin se sa persona kanë humbur jetën nga viti 2000 deri më sot. “Ka dyshime serioze, sipas të cilave, grupe tërësisht mafioze e të veshura me pushtet kontrollojnë shfrytëzimin dhe tregtimin e mineralit duke i përdorur minatorët si skllevër e pasurinë kombëtare si mall pa zot”, thuhet në letrën e firmosur nga Sajmir Tahiri dhe shtatë deputetë të Komisionit të Veprimtarive Prodhuese.
Pyetjet e PS
1. Sa janë minatorët që kanë humbur jetën në galeritë e minierave nga viti 2000 deri sot?
2. Cila është pozita ligjore e kompanisë “ACR” në raport me shtetin shqiptar?
3. Cili është kontraktori i vërtetë? Vazhdon Darfo me nënkontraktor ACR-në, apo është ACR që zëvendëson Darfo-n me ndryshim emri?
4. Darfo SRL dhe Darfo SPA janë e njëjta kompani, apo dy të ndryshme?
5. Cili është aktiviteti ekonomik i ACR-së nga viti 2000 kur është regjistruar për herë të parë si person juridik deri në 2007-n, kur filloi biznesin e mineralit në Bulqizë?
6. Sa është prodhimi i mineralit të kromit në minierën e Bulqizës?
7. Nga prodhimi i përgjithshëm i mineralit të kromit, sa është shkrirë në uzinat e ferro-kromit dhe sa është eksportuar direkt si mineral?
8. Sa është vëllimi i eksportit të mineralit të kromit apo ferro-kromit në ton dhe në vlerë?
9. Bazuar në marrëveshjen koncesionare të miratuar në Parlament 10 vite më parë, sa është totali i investimeve të realizuara nga koncensionari për secilin nga zërat e marrëveshjes?
10. A ka filluar të hapet zona veriore e minierës së kromit Bulqizë? Sa është avancuar drejt thellësisë dhe kur përfundon hapja e saj?
11. METE, dhe ju si ministër i METE-s, i njihni vlerë ligjore dhe detyruese marrëveshjes së nënshkruar më 9 korrik 2009 ndërmjet ministrit Ruli dhe ACR-së, marrëveshje që modifikonte marrëdhënien koncesionare, por që ende sot e kësaj dite nuk është miratuar në Parlament siç e kërkon ligji?
12. Cili është arsyetimi institucional bazuar në Kushtetutën e RSH dhe legjislacionin në fuqi, sipas të cilit, kjo marrëveshje, edhe pse e pamiratuar në Parlament, ka fuqi ligjore?
13. Sa është fitimi i deklaruar i koncesionarit kryesor në Bulqizë?
14. Sa serioz është rreziku që Bulqiza të shkatërrohet për shkak të mungesës totale të investimeve kapitale?
15. Sa është numri total i subjekteve të licencuara që shfrytëzojnë pasuritë minerare të Bulqizës?
16. Në dijeninë tuaj, sa është numri i subjekteve që punojnë pa asnjë licencë?
17. Sipas raporteve që ju dispononi, afërsisht sa ton mineral përbën tregu i mineraleve që eksportohet?
18. Cilat janë kushtet e punës së minatorëve?
19. Sot që flasim, a po punohet në ndonjë zonë që haptazi cilësohet si tejet e rrezikshme për jetën e minatorëve?
20. Sa është numri i çështjeve gjyqësore të përfunduara ndërmjet kompanive private dhe METE-s sa i përket shfrytëzimit të pasurive minerare dhe cili është përfundimi i tyre?
21. Për çështjet gjyqësore të përfunduara në favor të kompanive private, sa është shuma totale e dëmshpërblimit të caktuar nga gjykata që duhet të paguajë shteti?
22. Sa është numri i çështjeve gjyqësore në vazhdim ndërmjet kompanive private dhe METE-s sa i përket shfrytëzimit të pasurive minerare dhe cila është ecuria e tyre?
23. Miniera e Kromit Bulqizë, a është shpallur si minierë me regjim gazi? A garantohet jeta e punonjësve në këtë minierë duke punuar me pajisje që nuk plotësojnë kushtet e antideflagrancës?











