PS, Gjermeni: Ndregjoni nuk thotë të vërtetën

Dec 8, 2011 | 16:33

TIRANE- Eglantina Gjermeni,  në emër të Komisionit Përzgjedhës për Avokatin e Popullit reagoi sot lidhur me deklarimet e dhëna sot në gazetën Panorama nga një prej emrave të përfshirë në listën për Avokatin e Popullit, Besim Ndregjoni, kryetar i Shoqatës së të Burgosurve Politikë.

Në komunikimin e saj, Gjermeni shprehet se “Zoti Ndregjoni dëshironte të konkuronte dhe këtë ma shprehu drejtpërdrejtë, ndërsa unë e sigurova se komisioni ynë s’ka asnjë parapëlqim dhe asnjë paragjykim, por ka përgjegjësinë ndaj opozitës dhe ndaj publikut të nxjerrë kandidaturën që gjykon më të përshtatshme në fund të procesit”

Në prononcimin e tij për në numrin e sotëm të gazetës Panorama, Ndregjoni është shprehur se “Nuk kam aplikuar për Avokat të Popullit. Kam pyetur pranë komisionit të përzgjedhjes së kandidaturave, sepse më pëlqeu ideja e hedhur nga kryetari i PS-së, zoti Rama, për të mos pranuar kandidatura politike, por vetëm nga shoqëria civile, apo dhe kategori të tilla si ish-të përndjekurit politikë. Kur pashë listën e emrave që kishin aplikuar, kuptova se ajo që zoti Rama kishte deklaruar ishte një shoë politik. Në lista ka vetëm emra politikë nga Partia Socialiste dhe nuk gjeta asnjë emër nga shoqëria civile apo kategoria që unë përfaqësoj. Kjo më bëri që të mos e bëj aplikimin për Avokat të Popullit. Të them të drejtën, u zhgënjeva plotësisht, siç jam zhgënjyer në këta 20 vjet nga politika shqiptare.

Lidhur me këtë, Gjermeni shpjegon se  “duke qenë se zoti Ndregjoni nuk e kishte depozituar aplikimin ende dhe biseda jonë e fundit u bë ditën e fundit, në respekt të asaj çka zoti Besim Ndregjoni përfaqëson si drejtues i një organizate të të përndjekurve politikë po edhe të historisë së tij personale e familjare, dhe sigurisht mbi fjalën e tij se donte të futej në garë ne vendosëm ta përfshijmë në listë në mirëbesim. Bashkë me një aplikant tjetër, dokumentacioni i të cilit erdhi me postë në orët e fundit numri i aplikantëve u ngjit kështu nga 31 që deklaruam në mesditë kur u pyetëm nga shtypi, në 33 në mbrëmje.”

Gjermeni, duke e konsideruar si të papërputhshëm me të vertetën pohimin e Ndregjoinit, shpreh keqardhje që tolerimi i Komisionit në procedurën e depozitimit të dosjes, u bë shkak për një prononcim nga ana e zotit Ndregjoni.

© Panorama.al

Te lidhura