Protesta e 28 shkurtit, Berisha: Do jetë më e fuqishmja që ka njohur vendi, dita e triumfit të opozitës! Skenarët? Jo si ato që keni parë, por…

Feb 23, 2026 | 12:56

Partia Demokratike ka njoftuar një tjetër protestë kombëtare në 28 shkurt, që siç thotë Sali Berisha do të jetë ndryshe nga tubimet e mëparshme.

Sipas Sali Berishës, kjo do të jetë një nga kryengritjet paqësorë më të fuqishme që ka njohur vendi, duke deklaruar se “Nuk do jetë e llojit të atyre që keni parë”.

Berisha deklaroi se kryengritja do të kalojë në fazën e diversifikimit të aksioneve.

“Ndërkohë e dini, e shtuna është dita e kryengritjes paqësore. Qytetarët mezi e presin për të shprehur zemërimin, revoltën e tyre, urrejtjen e tyre ndaj hajdutëve. Dhe, do të jetë një revoltë, një kryengritje do të thosha më e fuqishmja që ka njohur vendi.

Nuk do jetë e llojit të atyre që keni parë. Tani, kryengritja kalon në fazën e diversifikimit të aksioneve dhe veprimtarive të saj. Për të gjitha do informoheni në përputhje me vendimet që do merren. Por e shtuna është dita e triumfit të opozitës, e triumfit të shqiptarëve mbi hajdutët”, tha Berisha.

Më tej Berisha paralajmëroj kryeministrin Rama që të ndal, sipas tij, sulmet ndaj selisë së PD-së, siç ndodhi më 20 shkurt gjatë protestës kombëtare, pasi “përgjigja mund të jetë ajo që nuk ja pret mendja”.

“Dënoj me formën më të madhe sulmi ndaj selisë së PD-së dhe paralajmëroj Edi Ramën të ndërpresë çdo sulm ndaj selisë, sepse përgjigja mund të jetë ajo që nuk ja pret mendja atij. Degët e PD-së kanë marrë porosi të bëjnë rikonicion për të gjitha selitë e PD-së në qarqe dhe rrethe dhe unë e paralajmëroj dhe njëherë.

E keni parë që sulmi u përqendrua te selia, u pozicionuar një grup banditësh me uniformë që qëllonin drejt selisë dhe protestuesve në rrugën para selisë. Ju garantoj që për të shpëtuar lëkurën e  tij, do donte që t’ja digjnin 5 herë selisë e PS-së aty ku është, pro kjo nuk do ndodh kur do ai, për këtë se siguroj”, tha Berisha.

© Panorama.al

Te lidhura